Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet ka thënë se SHBA-ja e mbështet plotësisht propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një bisede telefonike që pati me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq me ç’rast theksoi se pret që takimi i nesërm në Bruksel të jetë konstruktiv, me progres të dukshëm drejt marrëveshjes.
Diplomati amerikan duke i përcjellë kryetarit serb qëndrimet e Uashingtonit zyrtar para takimit të nesërm në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti theksoi se “marrëveshjet e nënshkruara më parë në procesin e dialogut duhet të zbatohen, që nënkupton edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Presidenti Vuçiq tha se pret një takim shumë të vështirë, por se Serbia është e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe se në këtë kontekst është e gatshme të punojë në konceptin dhe zbatimin e planit të propozuar me kufizime të përcaktuara qartë”.
Chollet, një bisedë telefonike pati të shtunën edhe me kryeministrin Albin Kurti, gjatë së cilës tha se tash është koha për të diskutuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Zyrtari amerikan u shpreh gjithashtu se të dyja palët duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.