image Çfarë shkruajnë mediat në Izrael për vizitën e Ministres Gërvalla

Politikë

Çfarë shkruajnë mediat në Izrael për vizitën e Ministres Gërvalla

news image

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ndodhet në Izrael për herë të parë si zyrtare shtetërore.

Vizita e saj në Lindje të Mesme, nuk ka kaluar pa u komentuar edhe nga mediat vendore atje.

Jerusalem Post, një nga mediat më të njohura në Izrael, ka shkruar për vizitën e Ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës në këtë shtet, duke rikujtuar se dy vende po nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi, një vit pas hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Ky medium publikon informacione të njoftuara edhe zyrtarisht se dy ministrat kanë nënshkruar marrëveshje në fushat e kulturës, arsimit, shkencës dhe bashkëprodhimit të filmit.

Izraeli dhe Kosova çimentuan më tej marrëdhëniet me një sërë marrëveshjesh dypalëshe të hënën. Ministri i Jashtëm Yair Lapid u takua me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla-Schëarz, e cila vizitoi Jerusalemin për herë të parë. Ata diskutuan lidhjet dypalëshe, ndihmën dhe luftën në Ukrainë dhe nënshkruan marrëveshje në fushat e kulturës, arsimit, shkencës dhe bashkëprodhimit të filmit, tha Ministria e Jashtme. Ministri i Jashtëm kosovar nënshkroi gjithashtu një marrëveshje rreth edukimit për Holokaustin me kryetarin e Yad Vashem, Dani Dayan” shkruan JP.

Gërvalla është zyrtarja e nivelit më të lartë që viziton Izraelin nga Prishtina që kur Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem marsin e kaluar, duke u bërë kështu “shteti i parë me shumicë myslimane që e bën këtë”.

Kosova ishte një nga vendet me shumicë myslimane që vendosi marrëdhënie me Izraelin në vitin 2020. Normalizimi ishte i ndarë nga Marrëveshja e Abrahamit dhe ishte pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Izraeli u bë vendi i 117-të që njohu pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008. Jerusalemi më parë kishte qenë i rezervuar për ta bërë këtë nga shqetësimi se do të përbënte një precedent për njohjen e një shteti palestinez”, shkruan tutje JP.

Gazeta rikujton se Serbia kishte thënë se do të hapte një ambasadë në Jerusalem, por nuk e bëri këtë pasi Izraeli e njohu Kosovën si shtet sovran.

Ministri i Bashkëpunimit Rajonal Esawi Frej u bë ministri i parë i kabinetit izraelit që vizitoi Kosovën muajin e kaluar. Ai iu bashkua ministrit të shëndetësisë së Kosovës në një vizitë në një spital lokal të cilit Izraeli i dhuroi 90 karrige me rrota. Ata u takuan me mjekë izraelitë që punojnë me organizatën humanitare izraelite Save a Child’s Heart, të cilët udhëtuan në Kosovë për të diagnostikuar fëmijët që kanë nevojë për operacion në zemër. Frej tha se kishte “rëndësi të madhe në forcimin e lidhjeve midis Izraelit dhe këtij shteti mysliman”.

/GazetaSinjali/