Vetëm anëtarët e familjes do të marrin pjesë sot në varrimin e Ajatollah Ali Khameneit në Mashhad, raportojnë mediat shtetërore iraniane, duke shtuar pritjet për një paraqitje të mundshme publike të Mojtaba Khameneit, i cili është emëruar si udhëheqësi i ri suprem i Iranit.
Sipas raportimeve, një dalje e tij në ceremoninë mortore do të përbënte paraqitjen e parë të njohur publike që nga emërimi në krye të Republikës Islamike, pas vrasjes së Ali Khameneit në një sulm izraelit në fund të shkurtit, i koordinuar me Shtetet e Bashkuara, ngjarje që çoi në një konflikt 40-ditor.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë nëse Mojtaba Khamenei do të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të të atit. Mediat shtetërore nuk kanë bërë të ditur emrat e pjesëmarrësve, ndërsa gjatë ceremonive të zhvilluara gjatë javës së kaluar familja është përfaqësuar nga vëllezërit e tij, Mostafa, Masoud dhe Meysam.
Situata e sigurisë është tensionuar më tej pas rifillimit të përplasjeve ndërmjet Washingtonit dhe Teheranit. Javën e kaluar, Izraeli deklaroi se udhëheqësi suprem i Iranit mbetet “në shënjestër për t’u vrarë”.
Sipas raportimeve, Mojtaba Khamenei besohet se është plagosur gjatë sulmeve të shkurtit dhe që nga fillimi i luftës ka qëndruar larg publikut, duke komunikuar vetëm përmes deklaratave të shkruara, pa u shfaqur personalisht dhe pa publikuar mesazhe audio apo video.
Gjatë javës së fundit, turma të mëdha qytetarësh kanë marrë pjesë në ceremonitë mortore të organizuara në pesë qytete, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Ajatollah Ali Khameneit, në një varrim që është shtrirë për shtatë ditë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!