image Çeku: Reforma e madhe në kulturë po bëhet!

Çeku: Reforma e madhe në kulturë po bëhet!

news image

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është miratuar koncept dokumenti për Art dhe Kulturë.

Këtë e bëri të ditur ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çeku me një status në Facebook.

Ai tha se me vendimin e sotëm janë hapur rrugë për Ligjin e ri të Kulturës, Ligjin e ri të Kinematografisë, rregullimin ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës.

Postimi i plotë:

“Reforma e madhe në kulturë po bëhet! Pas një procesi një vjeçar të diskutimeve me komunitetin, hulumtimeve dhe analizave, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u miratua Koncept-dokumenti për Art dhe Kulturë. Me vendimin e sotëm hapet rrugë për Ligjin e ri të Kulturës, Ligjin e ri të Kinematografisë, rregullimin ligjor të sektorit muzeal dhe Strategjinë Kombëtare për zhvillimin e Kulturës.

Ky moment i rëndësishëm është rezultat i punës së madhe të stafit civil dhe kabinetit politik të Ministrisë së Kulturës, zyrtarëve të institucioneve publike të kulturës, zyrtarëve të ministrive të linjës, pjesëtarëve të komunitetit artistik e organizatave të skenës së pavarur, konsulentëve vendorë dhe nga jashtë.

Hapat e ardhshëm të reformës më të madhe kulturore në vend do të bazohen në këtë dokument, i cili do të jetë udhërrëfyes i yni shtetëror për çdo lloj mase që duhet të ndërmarrim për t’i ngritur më tutje të gjitha kapacitetet kreative në vend.

Legjislacioni në fuqi që rregullon fushën e kulturës është tejet kufizues dhe në masë të madhe nuk i përgjigjet nevojave aktuale të sektorit. Reforma në kulturë synon zvogëlimin e burokracisë, nxitjen e krijimtarisë cilësore, mbrojtjen dhe fuqizimin e artistit, diversifikimin e burimeve të financimit, edukimin artistik të fëmijëve dhe të rinjve dhe zhvillimin e audiencave në mënyrë që si rezultat i të gjitha këtyre kultura të ketë ndikim më të madh në rritjen ekonomike, mirëqenien sociale dhe promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë.”

/GazetaSinjali/