image Çeku: Kosova në terr për shkak të politikës

Politikë

Çeku: Kosova në terr për shkak të politikës

news image

Rehabilitimi i pesë blloqeve të termocentralit “Kosova A” mund ta nxjerrë Kosovën nga terri, thotë ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku.

Për krizën energjetike me të cilën po përballet Kosova, Çeku fajëson politikën. Sipas tij, sektori i energjisë kërkon një konsensus politik. Pa një konsensus të tillë, ai thotë se Kosova do të mbetet me linjit të bollshëm e të politizuar, pa ndërtimin e termocentraleve të reja dhe do të përballet me reduktime të ashpra të energjisë.

Kosova, sipas tij, këtë krizë energjetike nuk do ta kishte sikur ta zhvillonte projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.

“Sot Kosova, si një nga vendet më të pasura në botë në fushën e linjitit, duhet të blejë energji elektrike nga 500 euro për megavat, derisa kemi mundur të prodhojmë me 56-60 euro megavatin“, deklaron ai.

Sipas tij, Kosova humbi rastin që të ndërtojë termocentrale të reja, që në atë kohë kishin mbështetje edhe të Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian.

“Banka Botërore ndau fonde, u dhanë garanci bankare për zhvillimin e sektorit të energjisë. Vendet e Bashkimit Evropian mbështetën zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë. USAID bëri një punë të madhe, dërgoi ekspertët më të mirë të fushës së energjisë dhe u bë një ekip i jashtëzakonshëm për ndërtimin e termocentralit, por termocentrali nuk u ndërtua”, thotë Çeku.

Çeku fajëson politikën për situatën me energjinë elektrike në vend.

“Po, zhvillimet politike që u bën më vonë e eliminuan ndërtimin e termocentralit dhe bën që Kosova të jetë një nga vendet më të varfra në fushën e energjisë. Investitorët nuk pranojnë lojëra politike në sektorin e energjisë. Veprimet politike e dëmtuan Kosovën”, shprehet ish-ministri.

“Shpresoj që kjo qeveri ta kërkojë konsensusin dhe të punojë me ekspertë”.

“Për 20 vjet, asnjë kapacitet në fushën e termos nuk është zhvilluar dhe u zhvilluan vetëm disa kapacitet tjera të vogla të energjisë së ripërtërishme. Prandaj kemi këtë situatë të vështirë dhe kjo situatë e vështirë do të vazhdojë edhe për shumë vite, nëse kjo Qeveri nuk e ndërton një koncept për daljen nga kriza”, tha ai.

Ai thotë se nëse investohet në blloqet e “Kosova A”, mund t’i ketë pesë blloqe në veprim që mund t’i kenë 800 megavatë energji elektrike vetëm nga “Kosova A”.

“Po ashtu, ne duhet urgjentisht të investojmë në sektorin e minierës, sepse jemi në fazën e fundit të shfrytëzimit të minierës, prandaj duhet të hapen miniera të reja”.

Nëse do të ndërtohet një plan strategjik i veprimit në periudhën afatmesme tre-katër vjeçare, ai thotë se Kosova mund të eliminojë problemin e energjisë “nuk është situatë e zgjidhjes së shpejt. Po flasim sot për të vepruar që efektet të vijnë pas tre apo katër vjetësh”.

“Rehabilitimi i vetëm një blloku mori kohë me muaj. Ndërkaq, nëse shkojmë kështu hap pas hapi, duke dhënë mjete herë 50 milionë euro, herë 70 milionë herë, duke i shtrenjtuar çmimet e energjisë elektrike, kjo formë nuk e zgjidhë problemin e energjisë elektrike”.

Çeku foli edhe për shtrenjtimin e faturave të energjisë, i cili tha se shtrenjtimi nuk e zgjedh problemin sepse nuk ka prodhim më tepër.

“Ndoshta, duhet t’i krijohet hapësirë sektorit privat në fushën e energjisë, të shohin mundësinë edhe ata që të investojnë që të dalim nga kjo situatë”, tha ai për REL.

Sipas tij, ka ardhur koha që Qeveria duhet të thërrasë ekspertë të brendshëm dhe të jashtëm dhe të krijojë një strategji dhe ajo është që të bëjë rehabilitimin e pesë blloqeve të Termocentralit “Kosova A”./GazetaSinjali/