Pesha e një gruaje shtatzënë varet shumë nga pesha e saj para konceptimit. Shumica e grave fitojnë 10 deri në 15 kg duke e fituar pjesën më të madhe të peshës pas javës së 20-të, thonë ekspertët.
Shtimi i kilogramëve shumë ose shumë pak, mund të sjellë probleme shëndetësore për ju ose foshnjën tuaj të palindur.
Por, rolin kryesor e luan mënyra e ushqimit gjatë shtatzënisë. Ju duhet të ushqeheni shëndetshëm dhe të evitoni ushqimet e shpejta dhe pijet e gazuara.
Ekspertët sugjerojnë që kilogramët e tepërt t’i hiqni para shtatzënisë.Gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë nëse nëna shton mesatarisht 12 kilogram, atëherë kjo llogaritet si rritje normale e peshës.
Nënat të cilat që në fillim të shtatzënisë janë më të dobëta, është e pranueshme që të fitojnë më shumë peshë, përkatësisht 15-17kg.
Ndërsa, nënat të cilat që në fillim të shtatzënisë janë mbipeshë sugjerohet që të mos shtojnë shumë peshë. Për nënat me mbipeshë llogaritet se është e mjaftueshme të marrin 7-8kg.
Një grua shtatzënë shton peshë sepse 3-4 kilogram i merr fëmija, 700 gr-1 kg peshon placenta, 700gr-1 kg peshon uji i fëmijës, 1 kg konsiderohet rritja e mitrës, 1,5-1,8 shkaktohen nga rritja e peshës së gjakut te nëna, 1 kg nga rritja e gjinjve, dhe 1-2 kg nga mbledhja e ujit te nëna.
Gjatë kohës së shtatzënisë nëse mendoni se “duhet të ha për dy persona, sepse po mbaj dy jetë” gaboheni, sepse kjo mund të ju bëjë të fitoni shumë kilogram, dhe kjo është e dëmshme.
Nuk duhet të harroni se nënat të cilat marrin peshë brenda suazave normale kanë shtatzëni më të shëndetshme, por edhe lindja do të jetë më e lehtë dhe pa rrezik.
Gjithashtu, do ta keni shumë më të lehtë t’i ktheheni peshës suaj normale pas lindjes.Gazeta Sinjali