image Caktohet paraburgimi ndaj 2 të dyshuarve që tentuan të grabitnin në një pompë të derivateve në Prizren

Drejtësi

Caktohet paraburgimi ndaj 2 të dyshuarve që tentuan të grabitnin në një pompë të derivateve në Prizren

news image

Gjykata Themelore në Prizren, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të këtij rajoni për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.S. dhe F.H., të dyshuar për “Grabitje të mbetur në tentativë”, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo masë atyre do t’u llogaritet nga data e arrestimit, 20 shtator deri më 20 tetor të këtij viti.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.S., dhe F.H., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

Mesnatën e 20 shtatorit, të pandehurit kishin shkuar të armatosur në një pompë derivatesh në Prizren dhe kishin kërcënuar punëtorin e pompës me fjalët “Ku janë paratë” dhe “Bjeri paratë”.

“Më datë 20 shtator, në orët e mesnatës, në Prizren, saktësisht në një pompë të derivateve, të pandehurit në bashkëkryerje përmes armës, përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze, fillimisht duke drejtuar automjetin të cilin ka qenë duke e drejtuar i pandehuri F.H., me të arritur në oborrin e pompës së derivateve në fjalë në afërsi të kabinës ndal automjetin nga i cili del i pandehuri A.S., duke u nisur në drejtim të të dëmtuarit e duke mbajtur në dorë një pistoletë – shkrepës, të cilën ia drejton të dëmtuarit dhe duke iu drejtuar me fjalët “Ku janë paratë’’ dhe “Bjeri paratë” dhe se në atë moment i dëmtuari i kundërvihet të pandehurit A.S., së pari duke e shtyrë e më pas duke e goditur dorën e tij me të cilën ishte duke e mbajtur armën ku një pjesë kësaj arme lodër bie në dysheme, derisa i pandehuri A.S., me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të automjetit ku ishte duke e pritur i pandehuri F.H., dhe të cilët më pas largohen në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e policisë.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura është në fazën fillestare dhe nëse të pandehurit lihen në liri, ka vlerësuar se mund të fshihen apo të largohen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, si dhe ekziston rreziku se po që se të njëjtit do të liheshin në liri, ata mund të përsërisin veprën penale, ose të përfundojnë veprën e tentuar.

Nga të lartcekurat Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për shkak të mbarëvajtjes së rregullt të procedurës penale – hetimore, kështu që ndaj të pandehurit të lartcekur u caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji./Gazeta Sinjali/