image Caktohet masa e paraburgimit ndaj ish-komandatit Azem Veseli dhe të tjerëve

Drejtësi

Caktohet masa e paraburgimit ndaj ish-komandatit Azem Veseli dhe të tjerëve

news image

Gjykata Themelore në Pejë–Dega në Deçan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve H.T. dhe A.V. ndërsa, të pandehurit A.Ç. i caktohet masa e ndalimit për t’iu afruar të dëmtuarit, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas komunikatës për medie, kjo masë është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri H.T, në janar të vitit 2020 e në vazhdimësi gjerë në muajin maj 2020, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit si pasojë e pandemisë dhe disa borxheve që i kishte.

Sipas Gjykatës i pandehuri i jep të dëmtuarit një shumë të hollave në emër të fajdesë të cilën i  dëmtuari ia kthen në muajin prill 2020 mirëpo, të dëmtuarit i rëndohet edhe më shumë gjendja financiare dhe i pandehuri në muajin maj 2020 i jep përsëri para me fajde duke realizuar kështu dobi pasurore.

Tutje, në komunikatë thuhet se “Pastaj, i pandehuri, në fillim të muajit Maj 2021, me fjalë, seriozisht e kanos të dëmtuarin se duhet të vazhdojë të paguaj fajdenë ose do ta privoj nga jeta, për çka te i dëmtuari shkakton frikë dhe panik. Me këto veprime i pandehuri H.T kishte për të kryer veprën penale fajdeja nga neni 331 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së dhe veprën penale kanosja nga neni 181 par.2 të KPRK-së”.

Po ashtu, “I pandehuri Azem Veseli, në muajin tetor 2020, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit, në atë mënyrë që të dëmtuarit për shkak të pandemisë dhe disa borxheve i rëndohet gjendja financiare ashtu që i pandehuri i jep pare me fajde, të cilën i dëmtuari e paguan çdo muaj”.

“Me këto veprime i pandehuri A.V kishte për të kryer veprën penale fajdeja nga neni 331 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Mes tjerash, Gjykata sqaron po ashtu se i pandehuri A.Ç, në janar të vitit 2020 e në vazhdimësi gjerë me datë 15.09.2021, me dashje ndihmon personin tjetër në kryerjen e veprës penale të fajdesë në atë mënyrë që, të dëmtuarit në vitin 2019 për shkak të pandemisë dhe disa borxheve i rëndohet gjendja financiare ashtu që i pandehuri A.Ç ndërmjetëson te i pandehuri H.T, që t’i jep të dëmtuarit një shumë të hollave në emër të fajdesë.

“Me këto veprime i pandehuri A.Ç kishte për të kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale fajdeja” . Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për ta cilat dyshohen”.

Gjithashtu, gjykata duke pas parasysh peshën e veprës penale dhe karakteristikat personale të pandehurve, ka vlerësuar se ekziston rreziku se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri mund të kryej vepër të re penale, të përsërisin veprën penale apo të arratisen e me këtë të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë mirëpo, gjeti se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /GazetaSinjali/