image Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit për rrahjen e infermierit në Spitalin e Prizrenit

Drejtësi

Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit për rrahjen e infermierit në Spitalin e Prizrenit

news image

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, shkruan Gazeta Sinjali.

Gjykata me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit A.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Sipas njoftimit të gjykatës, më 14 mars, në orët e mbrëmjes, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, i pandehuri A.K., e ka sulmuar fizikisht infermierin teknik, i cili ishte në kryerje të detyrës zyrtare.

Fillimisht, i pandehuri e kishte dërguar djalin e tij në spital për të kryer një ekzaminim, i dëmtuari – infermieri, i kishte kërkuar të dhënat personale djalit të të pandehurit pasi këto shënime nuk ishin të evidentuara në udhëzim.

Kështu, i pandehuri kishte filluar të fjalosej me infermierin, duke iu drejtuar me fjalët, “për para e ki a” dhe se “më të kam problem që dy vite” dhe pas kësaj me dashje e kishte sulmuar fizikisht infermierin, duke e goditur me grushte në pjesën e fytyrës dhe hundës.

Për shkak të goditjeve, infermieri ka pësuar lëndime trupore.

“Gjyqtari i procedurës ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit dhe ndaj të pandehurit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një muaji, ashtu që do të llogaritet prej datës së arrestimit më 14.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datë 14.04.2021”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas gjykatës së shkallës së parë, i pandehuri A.K., nuk guxon të largohet nga vendbanimi i tij në Prizren, si dhe të njëjtit i ndalohet të kontaktojë me personat me të cilët ai nuk jeton apo të cilët nuk janë të varur nga i pandehuri.

Nëse i njëjti e shkel masën e arrestit shtëpiak, gjykata ka paralajmëruar se atij do t’i caktohet masa e paraburgimit.

“Gjykata është e mendimit se edhe me masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit do të sigurohet prezenca e tij, e në rastin konkret i pandehuri gjatë deklarimit të dhënë në polici, ka pranuar se ka kryer sulmin ndaj personit zyrtar, ndërsa këtë veprim e ka ndërmarrë për shkak të gjendjes jo të mirë të tij dhe të djalit të tij, të cilin e kishte dërguar për trajtim në spital”, thuhet tutje në kumtesë.

Kështu, sipas bindjes dhe vlerësimit të gjykatës, me caktimin e masës së arrestit shtëpiak, nuk do të vështirësohet apo pengohet zhvillimi i procedurës penale- hetimore, nuk do të ndikohej në prova, dëshmitarë e të dëmtuarin dhe i pandehuri do të parandalohet që të kryej ndonjë vepër tjetër penale apo të përsërisë veprën e kryer penale./Gazeta Sinjali/