image E pazakontë - Gjykata e Mitrovicës privilegjon të arrestuarit për drogë, refuzon kërkesën për paraburgim - Sinjali

E pazakontë – Gjykata e Mitrovicës privilegjon të arrestuarit për drogë, refuzon kërkesën për paraburgim

news image

Një vendim i jo i zakonshëm është nxjerrë nga gjyqtari Avni Mehmeti në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Kjo gjykatë ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, babë e birë, që dyshohen për shitblerje të drogës. Jeftimije Apostollovic, 63-vjeçar, u kap më 453 gramë kokainë, ndërsa djalit të tij, Marko Apostollovic, 33-vjeçar, iu gjetën marihuanë, armë, qese për paketimin e drogës, shënime për shitjen e drogës, si dhe dokument të falsifikuar.

Gjykata ka refuzuar kërkesën që dy të dyshuarit t’i dërgojë në paraburgim, duke vlerësuar se kjo është masë e rëndë, prandaj të njëjtëve ua ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, raporton Gazeta Sinjali.

Tutje, Sinjali mëson se këtë vendim gjykata e ka arsyetuar duke vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është adekuate dhe do të ketë ndikim për të parandaluar rrezikun e mundshëm të përsëritjes së veprës penale nga dy të dyshuarit. Pasi, siç vlerëson Gjykata, nën masën e arrestit shtëpiak, liria e lëvizjes së të dyshuarve është e kufizuar dhe nuk mund të largohen nga shtëpia.

Po ashtu, sipas Gjykatës, më rastin e vendosjes së masës së arrestit shtëpiak është marrë parasysh se i dyshuari Jeftimije Apostollovic vuan nga sëmundja kronike Astma.

Prandaj, sipas gjykatës ky vendim është marrë në përputhje me të gjitha rrethanat që lidhen me rastin.

Gjykata ka marrë këtë vendim përkundër që njëri nga të dyshuarit, Marko Apostollovic ka të kaluar kriminale.

Kur u kapën të dyshuarit?

Dy të dyshuarit u kapën më 19 shkurt me drogë, armë, e dokumente të falsifikuara në një fshat të Zveçanit. Gjithçka ndodhi pasi Policia mori informacion në lidhje me substancë narkotike dhe armë të cilat dyshohej se i posedonin dy të dyshuarit.

Dokumenti i sindikatës së Policisë serbe që dyshohet se është falsifikuar

Fillimisht Policia e rajonit të Mitrovicës së Veriut mori informacion në lidhje me substanca narkotike dhe armë në fshatin Jeshevik të Komunës së Zveçanit. Nuk shkoi shumë, kur njësitë policore zbarkuan në këtë fshat dhe ndaluan një veturë.

Ishte automjeti i 63-vjeçarit, Jeftimije, të cilit iu gjet mbi 450 gramë substancë e dyshuar kokainë. Drogën i dyshuari e kishte fshehur nën ulësen e shoferit.  Pas kontrollit të tërësishëm të veturës, policia sekuestroi drogën dhe u nis në drejtim të shtëpisë së 63-vjeçarit.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, policia sërish gjeti drogë. Këtë herë në dhomën e djalit të tij, Markos. Përveç marihuanës, zyrtarët policorë 33-vjeçarit i gjetën edhe armë, karikatorë, disa fishekë, qese për paketimin e drogës, shënime për shitjen e drogës, si dhe një kartelë telefonike.

Por kjo nuk është e tëra. Marko Apostollovic dyshohet edhe për falsifikim të dokumentit. Kjo pasi në dhomën e tij, policia gjeti edhe një dokument zyrtar, i cili dyshohet të jetë i falsifikuar. Dokumenti ishte i sindikatës së Policisë në Serbi, në të cilën ishte vendosur një fotografi e 33-vjeçarit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin