image Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj dy të arrestuarve për fajde

Drejtësi

Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj dy të arrestuarve për fajde

news image

Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve D.M dhe A.M, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, transmeton Gazeta Sinjali.

“Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë meqë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale që ju vihen në barrë dhe se masa e arrestit shtëpiak do të jetë mjaftë efikase që të pandehurit të mos kenë mundësi të ndikojnë në të dëmtuarit, të përsërisin veprën e njëjtë apo ta përfundojnë veprën e nisur penale“, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në njoftimin e Gjykatës tregohet se “e pandehura D.M. më datë 12.09.2021, për vete kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit, i cili paraprakisht nga bashkëshorti i saj kishte marr para borxh për të cilat më pas i kishte paguar të holla në emër të fajdesë ndërsa, më pas e kontakton e pandehura, e cila në emër të fajdesë së bashkëshortit të saj, tani të ndjerë, i kërkon që të vazhdoj me pagimin e fajdesë.”

Kurse i dyshuari A.M, sipas Gjykatës “më datë 14.09.2021, kontrakton shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit, ashtu që në emër të mikut të tij, tani të ndjerë, kërkon nga i dëmtuari që të vazhdojë me pagimin e fajdesë për çka i dëmtuari e lajmëron menjëherë policinë.

/Gazeta Sinjali/