image Caktohet data kur ZPS do të paraqes deklaratën përmbyllëse në gjyqin ndaj Mustafës

Drejtësi

Caktohet data kur ZPS do të paraqes deklaratën përmbyllëse në gjyqin ndaj Mustafës

news image

Më 13 shtator Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën përmbyllëse në rastin ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Kështu ka vendosur Trupi Gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt Foglia, i cili gjithashtu e ka përcaktuar 14 shtatorin datë kur mbrojtja e Mustafës do të bëjë deklaratën përfundimtare.

Në këtë datë do të bëhet edhe deklarata përmbyllëse e mbrojtëses së viktimave.

Sipas vendimit i cili është bërë i ditur nga Dhomat e Specializuara, përgjigjet dhe pyetjet nga Trupi Gjykues, si dhe deklaratat në lidhje me zhdëmtime janë planifikuar të mbahen më 15 shtator, ndërsa 16 shtatori është ndarë si ditë rezervë.

“Më 31 gusht, Trupi Gjykues I përcaktoi rendin e ditës për deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore Mustafa, e planifikuar të mbahet nga 13 shtatori deri më 15 shtator (data 16 shtator e planifikuar si ditë rezervë). Rendi i ditës, që mund të ketë ndryshime gjatë seancës në bazë të vendimeve të Trupit Gjykues, konkretizon, ndër të tjera, se deklarata përmbyllëse e ZPS-së do të mbahet më 13 shtator, e vijuar nga Mbrojtësja e viktimave dhe Mbrojtja më 14 shtator. Përgjigjet, pyetjet nga Trupi Gjykues dhe deklaratat në lidhje me zhdëmtime janë planifikuar të mbahen më 15 shtator”, thuhet në vendimin e Trupit Gjykues, transmeton KP.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

/GazetaSinjali/