image Protestat e studentëve, Bytyqi e tërheq vendimin për bursat

Kosovë

Dorëzim/ Protestat e studentëve, Bytyqi e tërheq vendimin për bursat

news image

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka vendosur që ta tërheq vendimin e shpallur para disa ditësh për ndarjen e bursave për studentët e dalluar vetëm në disa fakultete.

Ministri në largim, Shyqiri Bytyqi, përmes një konference kumtoi lajmin rreth tërheqjes së vendimit, sipas së cilit do t’u jepeshin bursa vetëm studentëve të dalluar të disa fakulteteve, shkruan Gazeta Sinjali.

Pavarësisht tërheqjes së këtij vendimi, Bytyqi beson se vendimi që kishte marrë ka qenë i drejtë.

“Niveli i bursistëve dhe përzgjedhja e bursistëve bëhet nga ana e universiteteve. Bursat të cilat i ndan MASHT nuk janë gjithëpërfshirëse. Pikërisht shpallja publike është bërë përmes një analize, ka një vit që Ministria ka bërë analiza. Asnjë shkencë sociale nuk është përfshirë në listë, nuk ka të bëjë me diskriminimi përveç duke e kuptuar qartë mungesën e kuadrove në këto programe. Jemi të vendosur se ky vendim ka qenë i drejtë dhe në rrethana të cilat jemi, të anulojmë vendimin deri në ardhjen e ministrit të ri”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se po të mos ishte ministër në largim, nuk do ta tërhiqte këtë vendim.

Për vendimin e Bytyqit, studentët e Fakultetit të Edukimit, Artit dhe Edukatës Fizike kanë mbajtur protesta për ditë me radhë, derisa disa prej tyre e kanë bojkotuar edhe mësimin. /Gazeta Sinjali/