Analisti, Andi Bushati tha në emisionin Now në Euronews Albania se vizita e Bill Clinton në Tiranë është ndërmjetësuar dhe financuar nga fondacioni Soros.
Sipas tij, mesazhi më i fortë që dha Clinton gjatë vizitës së tij në Tiranë ishte ai që godiste Albin Kurtin.
“Duket qartë që kjo është një vizitë e ndërmjetësuar nga fondacioni Soros. Po të shihje djalin e Soros, ngjitur me Clinton edhe drejtorin e Soros për Shqipërinë, ndërkohë që mungonte presidenti i vendit, mungonte Ilir Meta, Sali Berisha. Clinton nuk ka ardhur si ish-president. Ka ardhur si njëri i lobuar, ishin të pranishëm vetëm njerëzit që donte Edi Rama. Për mua mesazhi më i fortë që dha ish-presidenti Clinton ishte që nga Tirana dhe çlirimtari i Kosovës të goditej Albin Kurti dhe politika që po ndiqet në Kosovë”, tha Bushati.
Theksojmë se ish-presidenti amerikan Bill Clinton, gjatë fjalës në ceremoninë në nder të tij në Tiranë shprehu shqetësimin për situatën në veri të Kosovës.
Clinton i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të tërhiqet dhe t’i tregojnë botës si duket një e ardhme gjithëpërfshirëse, duke iu referuar të drejtave të pakicave serbe në Veri.