image Burri që vrau sot gruan dhe veten në Prishtinë ishte denoncuar 3 herë për dhunë në familje, prokuroria e kishte lënë të lirë

Drejtësi

Burri që vrau sot gruan dhe veten në Prishtinë ishte denoncuar 3 herë për dhunë në familje, prokuroria e kishte lënë të lirë

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot se një burrë rreth 45 vjeç dyshohet se e ka vrarë një grua të moshës rreth 40 vjeç, e më pas edhe veten, rreth orës 09:00 në rrugën “Ali Vitia” në lagjen “Emshir” të Prishtinës.

Sinjali mëson se 40-vjeçarja punonte në një hotel që gjendet në këtë lagje.

Burime të Gazetës Sinjali brenda këtij hoteli kanë bërë të ditur se motivi i kësaj vrasjeje është xhelozia, pasi që 45-vjeçari dhe 40-vjeçarja kishin qenë të martuar, por më pas ishin shkurorëzuar.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se çifti kishte probleme të vazhdueshme mes vete.

Madje, Sinjali merr vesh se 40-vjeçarja e kishte raportuar për dhunë në familje ish-bashkëshortin e saj në prill të vitit të kaluar.

Mirëpo, burime të Sinjalit bëjnë me dije se rasti në fjalë, me urdhër të prokurorit, kishte shkuar në procedurë të rregullt.

Sidoqoftë, Gazeta Sinjali ka mësuar se ky nuk ishte rasti i vetëm për dhunë në familje që ishte paraqitur në polici nga tani e ndjera.

Ajo e kishte raportuar në polici ish-burrin e saj edhe dy herë të tjera, porse në asnjë rast nuk ka pasur vendim efektiv nga ana e prokurorisë.

Çifti i cili kohë më parë i ka dhënë fund martesë së tyre, mësohet se pas vetes kanë lënë katër fëmijë./Gazeta Sinjali/