Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në fshatin Klinë e Poshtme e Skenderajt, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një 19-vjeçare është në hall nga ish bashkëshorti i saj, i cili ndonëse janë ndarë nuk po e lë rehat duke e ngacmuar.
Ajo është detyruar që rastin ta denoncojë në Polici, ku ka deklaruar se i dyshuari ka hapur një llogari false në emrin e saj në rrjetin social TikTok, ku edhe po postonte fotografi të saj.
I dyshuari është ftuar që të paraqitet në stacion, por i njëjti nuk është lajmëruar ende.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Ngacmim’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.