Zënkat e familjes së gruas me dhëndrin, janë të shpeshta në vendin tonë. Madje me raste ato nuk marrin fund, as atëherë kur çifti vendos të ndahet. Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se në një konflikt janë përfshirë një burrë dhe ish dhëndri i tij me të cilin vajza e tij është në procedurë të shkurorëzimit.
61-vjeçari dyshohet se në mes të sheshit ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë ka takuar viktimën dhe të njëjtin e ka kërcënuar seriozisht.
Përballë kësaj situate, i frikësuar dhe i shqetësuar nga kërcënimet që mori, 36-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen.
I dyshuari është arrestuar dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.