image “Burri më detyroi t’i ofroja shërbime seksuale Haxhi Avdylit për 500 euro”, rrëfimi i gruas nga Suhareka për të cilin Prokuroria mbylli hetimet

Ekskluzive

“Burri më detyroi t’i ofroja shërbime seksuale Haxhi Avdylit për 500 euro”, rrëfimi i gruas nga Suhareka për të cilin Prokuroria mbylli hetimet

news image

Mundësimi apo detyrimi për prostitucion vazhdon të jetë një sfidë për institucionet e Kosovës. Një rast i tillë është raportuar në tetor të vitit 2018 ku një femër (emër i njohur për redaksinë) ka deklaruar se bashkëshorti i saj, N.K. e ka detyruar dhe i ka mundësuar takime me burra të ndryshëm me qëllim që të kryejë marrëdhënie seksuale në këmbim të parave.

Sinjali ju sjell ekskluzivisht detaje nga ky rast për të cilin Prokuroria Themelore në Prizren ka përfunduar hetimet. Në këtë rrëfim përmenden shumë emra, në mesin e tyre edhe ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Prizreni, Haxhi Avdyli.

Gazeta Sinjali ka siguruar deklarimin e viktimës dhe të dyshuarit lidhur me këtë rast dhe ju sjell më poshtë detaje.

Viktima nga fshati Shirokë i Suharekës në deklarimin e saj pas raportimit të rastit ka thënë se pasi u fejua në vitin 2017 me N.K. nga fshati Savrovë po ashtu i Suharekës, por që jeton në Hamburg të Gjermanisë, ai filloi t’i fliste për “punën” që ajo do të bënte në Gjermani, në lokale ku rroga do të ishte shumë e madhe dhe ajo do të kishte marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm.

“Fillimisht, pasi u fejuam ai qëndroi vetëm një muaj në Kosovë. Në atë kohë, nuk kam pasur asnjë problem me të, e kemi kaluar shumë mirë. Herën e dytë ka ardhur pas një muaji apo dy muaj dhe atëherë ai filloi të më fliste rrotull duke më thënë se kur të vjen në Gjermani e ki punën tande, e ki rrogën tande, me punu si banakiere ose me ndonjë lokal të natës, se rroga është shumë e madhe.

Ki me pasë marrëdhënie seksuale me persona dhe ata kanë me të pagu mirë nga 1000 apo 2000 euro. Nëse shkon puna  mirë, muaji i parë apo i dyti ke me i nxjerrë 20 mijë euro në muaj”, ka deklaruar ajo.

Arsyetimi i N.K., për këtë punë që i fliste bashkëshortes ishte që me paratë që ajo do të fitonte, do të blinte gjëra të shtrenjta, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas saj, para se N.K. të martohej me të, ai ishte i martuar me L.K., nga Malisheva, që kishte një vajzë me të, për të cilën ajo thotë se nuk e dinte. 

Por, si filloi kjo “punë” e saj ende pa shkuar në Gjermani, ku njëri nga burrat me të cilët bashkëshorti sipas saj e detyroi të dilte ishte Haxhi Avdyli?

Në deklarimin e viktimës thuhet se N.K, kishte bërë marrëveshje me 500 euro me Haxhi Avdylin në rrjetin social Facebook, që ajo t’i ofronte shërbime seksuale.

“Pasi u fejova, në tre muajt e parë, N.K. ma ka marr paswordin e Facebookut tim që unë nuk e kam përdorur më prej se jam fejuar. Ai ka komunikuar me persona të ndryshëm, meshkuj, në emrin tim. Ka bërë marrëveshje me 500 euro me personin Haxhi Avdyli (doktor dhe politikan nga Prizreni) ku atij i ka thënë se unë dalë me para për shërbime seksuale.

Këtë person e ka nxitur me fotot e mija të cilat mi kërkonte si e fejuara e tij dhe unë ia dërgoja pa ditur se çfarë po bënte ai, pra ka biseduar në emrin tim. Pastaj unë jam detyruar të kem marrëdhënie seksuale me këtë person i cili mi ofroi vetëm 200 euro”, thuhet tutje në deklarimin e saj.

Madje ajo ka shpjeguar gjithë ngjarjen, që sipas saj ndodhi kur u takua me Haxhi Avdylin dhe shkuan në një motel në Prizren. 

“N.K., ishte në Gjermani, ai pasi që ka komunikuar me personin në fjalë në emrin tim më ka thirrë mua në viber dhe më ka thënë se ti duhet të dalësh me këtë person, ai po të pret te rruga e fshatit në Shirokë me një gjip. Me ka thënë se t’i jep 500 euro dhe parat merrja para se me hyp në kerr. Pastaj më ka thirrë në telefon me pare dhe e ka mbajtur hapur tërë kohën të sigurohej se çfarë po bëj unë.

Unë hypa në kerr, paret ja mora pasi hypa, sepse frikohesha mos po më shihte dikush. Pastaj ai mi dha vetëm 200 euro sepse më tha shumë janë 500 euro. Shkuam në motel (emër i njohur për redaksinë) në Prizren, pata marrëdhënie seksuale me të dhe N.K., tërë kohën ka dëgjuar në telefon, sepse më ka detyruar ta mbajë telefonin e hapur. Më ka thënë pse 200 unë të kam thënë 500 euro ty”, ka rrëfyer ajo ngjarjen.

Deklarata ku përmendet Haxhi Avdyli

Sipas saj, N.K., ishte kujdesur që edhe pse nuk ishte në Kosovë, ta kontrollonte atë përmes telefonit.

“Marrëveshja që unë kisha bërë me N.K., ishte se nëse ishte ndonjë parregullsi ai ta ndalte telefonin dhe të më thirrte prap me qëllim që unë ta kuptoj që diçka nuk është në rregull. Por ai nuk e ndali telefonin dhe unë mendova se është në rregull. Të hollat nuk kërkoi të ia dërgoja atje por më tha se kishte plan të mi dërgonte mua pa e cekur shumën mirëpo mbasi i more ato, shpenzojë vetë. Pra tërë kohën kam qenë e detyruar ta mbaj telefonin e hapur, me qëllim që ai të më dëgjonte nga Gjermania se a po veproja siç thoshte ai.”

Këto veprime ajo thotë se u detyrua t’i bënte, pasi N.K., e kishte kërcënuar se do të ia shpërndante fotografitë që ajo ia kishte dërguar.

Nga ky rast me Haxhi Avdylin,  ajo ka thënë se filloi detyrimi për të bërë marrëdhënie seksuale edhe me burra të tjerë.

“Kjo ishte hera e parë por pastaj ai filloi të më detyronte edhe me të tjerë. Kërcënimet ishin nëse unë nuk pranoj ai do të tregonte se unë kam dalë me para me Haxhiun dhe kjo ishte arsyeja se unë pranova të dalë edhe me të tjerë meshkuj”, ka rrëfyer ajo.

Rastet e tjera që sipas saj N.K, e detyroi të ofronte shërbime seksuale.

Ajo ka përmendur edhe emra të tjerë, më të cilët ka dalë jo vetëm ajo, por edhe N.K., bashkë me ta.

“Po edhe dy persona të tjerë. Njëri quhej S.I. i cili nuk e di nga është por mund ta gjej në Facebook dhe e njoh me pa, ndërsa tjetri (emër i njohur për redaksinë) i cili ishte nga Hani i Elezit.  Me këtë të fundit më ka ndodhur në muajin dhjetor të 2017, kur unë dola ta prisja N.K., në Han të Elezit. Ai më tha mos dil vetë por gjeje ndonjë mashkull shkojmë bashkë dhe bëjmë treshe. Unë nga frika pranova. Aty në Han të Elezit duke pritur atë e takova këtë mashkull dhe filluam të bisedonim dhe i kërkova se a mundet ai kur të vjen shoku im të bënim një treshe dhe ai pranoi. Pritëm bashkë në veturën time derisa erdhi N.K.”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka treguar edhe raste të tjera kur N.K. e ka detyruar të dalë me burra të tjerë.

“Pastaj në muajin maj të vitit 2018 ai përsëri nga Gjermania më detyroi të dilja me një mashkull tjetër. Me S.I. jam takuar në aeroport përderisa e prisja nënën e N.K, (vjehrrën time). N.K. tërë kohën më telefononte dhe më thoshte se duhet ta gjesh një mashkull të kryesh marrëdhënie seksuale me të dhe telefonin të ma mbash të hapur. Unë nga frika pranova, personi i parë i cili më foli ishte S.I. të cilin nuk e njihja. Pra N.K., më detyroi që të ia merrja numrin e telefonit dhe të rrija në kontakt me të. Marrëdhënie seksuale patëm në veturën time, të cilën N.K ma pati blerë.

Të holla nuk më tha t’i kërkoja por vetëm për dëshirën e N.K. që ai të dëgjonte në telefon derisa unë bëj marrëdhënie seksuale. Herën tjetër kur të del me të, më tha t’i kërkoja të holla. Ai pranoi me dalë me 50 euro por N.K. më tha t’i thoja se 50 euro më shkojnë vetëm për hapa që të mos ngelja shtatzënë dhe më tha të ia kërkoja 100 euro. Ai nuk pranoi dhe unë tërë bisedën që e bëja me S.I. ia dërgoja N.K. në viber”, është shprehur tutje ajo.

Të gjitha takimet, sipas saj i koordinonte N.K. nga Gjermania, duke shfrytëzuar llogarinë e saj në Facebook.

“Ai tërë kohën në emrin tim ka biseduar me persona të ndryshëm, me mysafirë të cilët vinin aty në shtëpinë e burrit të giithë më shikonin ose më thonin diçka por pa e ditur se N.K. kishte biseduar me ta në emrin tim.. Pastaj ai mi mori 10.000 mijë euro të cilat ishin në konton time, para këto gjysmë të mijat dhe gjysma e N.K.”

Arsyeja që sipas saj, ajo filloi të “punonte” në Kosovë ishte se: “N.K. donte vetëm të me shikonte mua se e me sa persona mundem me pas marrëdhënie seksuale me qëllim që kur të shkoj në Gjermani, a mundem me fitu pare ma shumë në këtë mënyrë.”

Tutje ajo ka deklaruar se ka qenë e detyruar dhe e kërcënuar jo vetëm edhe me familjen e saj.

“Ai më ka kërcënuar në vëllain tim duke më thënë se e di unë çka i bëjë atij dhe se do të na marrë gjithë pasurinë nëse unë nuk veproj çfarë thotë ai. Unë nuk po e kuptoj çfarë më do nga unë ai.”

Deklarimi i N.K. për këtë ngjarje

Por të gjitha këto i ka mohuar N.K, në deklarimin e tij kur pyetet se a i ka thënë asaj se kur do të shkojë në Gjermani do të duhet të kryejë marrëdhënie seksuale që të fitojë shumë para, ai është përgjigjur shkurt: “Nuk është e vërtetë”.  

Ai e mohon po ashtu se ka pasur qasje në llogarinë e saj në Facebook, ku ajo ka thënë se ai ka bërë marrëveshje me persona të ndryshëm me të cilët i ka kërkuar asaj të dalë. “Qasje në fejsbukun e saj nuk kam pasur asnjëherë. Kurrë nuk kam kërkuar nga ajo një gjë të tillë”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa kur është përmendur emri i Haxhi Avdylit, me të cilin ai e ka detyruar bashkëshorten të dalë, ai ka thënë se: “Jo, për herë të parë po dëgjoj për këtë emër”.

Për gjithë deklarimin e ish-bashkëshortes së tij, ai e ka një arsyetim: “Është punë xhelozie dhe ajo ma ka thënë se më kanë dalë fjaltë e hallkut, që ai shkon me femra tjera dhe ty të len e kështu të ngjashme. Ajo po ashtu më ka thënë se kam me të qitë në dy gujtë se ta kanë lënë amel tjerat e mua ke me më njoftë mua.”

Si e ndryshoi ish-bashkëshortja e N.K. deklarimin më pas?

Megjithatë ish-bashkëshortja e tij e kishte ndryshuar deklarimin e saj, ndoshta pas presionit nga ai, por nuk e kishte mohuar se i ka ofruar shërbime seksuale Haxhi Avdylit.

“Nuk e di çka të them tani më duket absurde se si unë i kam bërë këto gjëra. Një nga Prishtina, nuk po më kujtohet emri, Haxhi Avdyli dhe ai në aeroport siç e pata cekur në deklaratën e parë, nuk po më kujtohet tani. Me këta persona kam pasur marrëdhënie seksuale vetë. N.K. nuk ishte këtu, ai ishte në Gjermani.”

Për të gjitha këto ajo thotë se nuk e di nëse ka qenë e detyruar, edhe pse shprehet se nuk e ka bërë me qejf.

Prokuroria Themelore në Prizren ka mbyllur hetimet për këtë rast, pasi sipas tyre nuk janë gjetur dëshmi se N.K e ka detyruar apo ia ka mundësuar marrjen në prostitucion gruas së tij.

Megjithatë, Prokuroria nuk ka intervistuar emrat që janë përmendur nga denoncuesja e rastit.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe ish-deputetin Haxhi Avdyli për ta pyetur lidhur me këtë ngjarje, ku ai e ka mohuar kategorikisht se ka qenë i përfshirë në këtë rast.

“Çka je tu folë ti, për herë të parë po dëgjoj. Këto janë shpifje para zgjedhjeve. Kjo është e turpshme. Nuk ekziston ky emër e ky rast për mu. Një emër inekzistent. Ky është inskenim, kushdo që e ka paguar këtë person. Kurrë nuk jam intervistuar, as nuk më ka thirrë askush. Nuk ekziston ky person e burri i saj për mu. Krejt këto janë inskenime. Këto bëhen me qëllim për dëmtimin e dikujt, sepse u ka hy uji i ndryshimit. Dikush asaj ndoshta i ka dhënë pare me folë. Në 2017 ka pasë zgjedhje ndoshta. Ndoshta janë edhe armiqtë e mij”, ka thënë Avdyli për Sinjalin.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/