image Burri i dehur që sulmoi një person në Prizren paraqitet si viktimë në Polici, thotë se e rrahu dikush

Siguri

Burri i dehur që sulmoi një person në Prizren paraqitet si viktimë në Polici, thotë se e rrahu dikush

news image

Në orët e para të ditës së djeshme, në rrugën “Hysen Rexhepi”, në Prizren ka ndodhur një përleshje fizike në mes të katër personave.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që fillimisht personi, i cili ishte paraqitur si viktimë pranë Stacionit Policor në Prizren, ka informuar zyrtarët policorë se është sulmuar nga një person i panjohur.

Si pasojë e këtij sulmi fizik, viktima kishte pësuar lëndime trupore dhe i njëjti për këto është dërguar për në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Mirëpo, nga ato që ka mësuar Sinjali, pas ekzaminimit të videoincizimeve nga hetuesit, është vërejtur se ngjarja nuk kishte ndodhur saktësisht siç kishte raportuar ankuesi.

Kjo pasi që, ankuesi i cili ishte paraqitur në Polici, kishte dalë nga vetura e tij dhe e kishte sulmuar një person tjetër në rrugë, e më pas ky i fundit, së bashku me dy persona të tjerë i janë kundërpërgjigjur duke e goditur dhe duke e përplasur kundrejt xhamave të një lokali.

Sinjali mëson nga burimet e saj në Emergjencë se i dyshuari kundërmonte aromë alkooli, ku pas matjes së alkoolit në gjak, ka rezultuar me 0.90 promila alkool.

Si pasojë e gjendjes së tij, ai ka deklaruar se nuk i njeh personat me të cilët është përleshur.

Lidhur me rastin, prokurori i shtetit i ka iniciuar hetimet. /GazetaSinjali/