Pronari i luanit nga Zhegra mund të dënohet deri në gjashtë muaj burgim pse ka zënë kafshën e egër. Luani i mbajtur në kafaz në një restorant në Zhegër të Gjilanit dyshohet se është importuar ilegalisht. Mbajta në kafaz e kafshëve të egra është e ndaluar me ligj. Poashtu edhe kushdo që pa leje ose autorizim, zë të gjallë kafshë të egra, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj, sipas kodit penal të Kosovës.
Gazeta Sinjali ka biseduar me pronarin e këtij Restoranti, por nuk ka pranuar të tregojë se si e ka importuar Luanin, duke thënë se nuk mund të prononcohen dhe se kanë urdhër që të mos flasin anipse nuk e sqaron se nga kush ka urdhër të mos deklarohet për këtë çështje.
Ai disa minuta më vonë e ka mohuar të jetë pronari duke i thënë Gazetës Sinjali që të telefonojnë më vonë, por nuk ishte i qasshëm më pastaj.
“A jam duke folur me dikë nga shefat e restorantit… Po urdhnoni, nuk ka mundësi për momentin nuk kemi mundësi me dhanë deklaratë, e kemi urdhër për mos me dhanë deklaratë njëherë për njëherë. Nuk mundem pa e pas shefin ose menaxherin dikë këtu nuk mundem me dhanë informata. Jo me na fal nuk jam shefi dhe për momentin nuk e kemi kërkon këtu hiç. Pas një ore mundesh me telefonu por nuk besoj që mundesh me marrë informata, të jem pak më i drejtë” ka thënë ai gjatë një bisede telefonike.
Ndërsa, zëdhënësi i Agjencinë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK), Lamir Thaçi, ka deklaruar se ata nuk posedojnë asnjë të dhënë se kjo kafshë e egër i është nënshtruar kontrollit dhe se nuk ka ardhur me dokumente.
Lamir Thaçi ka thënë për Gazetën Sinjali se nuk e kanë certifikatën e origjinës dhe as nuk kanë marrë leje të importit për kafshën në fjalë.
“Të shohim qysh po rrjedh tutje sepse janë të kyçura edhe institucionet e tjera. Ky Luan nuk i është nënshtruar kontrollit tonë, nuk ka ardhur me dokumente, nuk i është nënshtruar kontrollit tonë, nuk ka ardhur me dokumente, me certifikatë të vendit të origjinës, as nuk ka marrë leje të importit te na. Për neve është kafshë e cila nuk ka ardhur përmes procedurave ligjore.
“Ne i kontrollojmë vetëm ngarkesat zyrtare, ngarkesa që vijnë me letra, inspektorët ose në pikë kufitare ose në terminal doganor i kontrollojnë, ndërsa në kufi janë doganat dhe policia”.
Ndërsa, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka deklaruar se kanë filluar hetimet, të cilat do ta sqarojnë se si është futur luani në Kosovë.
“Hetimet kanë filluar dhe hetimet e sqarojnë realisht situatën dhe duhet me u sqarua situata deri në fund”, ka thënë Stavileci për Gazetën Sinjali.
Adriatik Stavileci ditë më parë kishte deklaruar se nuk kanë të dhëna se kafsha i është nënshtruar kontrollit doganor. Sipas tij kafsha mund të rezultojë së është kontrabanduar. /Gazeta Sinjali/