Qeveria e Boris Johnsonit ka vendosur se çdo pasagjer i huaj që do hyjë në Britani, nga e hëna në mëngjes do të lejohet të hyjë vetëm, nëse do të paraqesë nga vendi ku udhëton drejt Britanisë një tampon negative për COVID-19 të bërë brenda 72 orëve përpara udhëtimit, përndryshe nuk do të ketë drejtë të udhëtojë, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga orët e para të së hënës, 18 janar, të gjithë udhëtarët që do mbërrijnë në Britani nga ajri, toka ose deti, dhe nga të gjitha vendet e botës, do duhet të dëshmojnë se kanë tampon negative 72 orë përpara nisjes së udhëtimit.
Po ashtu, ata do duhet të vetizolohen për 10 ditë dhe do mund të dalin nga karantina vetëm pas pesë ditësh, nëse një tjetër tampon rezulton negativ.
Këto masa merren për të parandaluar hyrjen në Britani të çdo varianti apo mutacioni të ri të koronavirusit.
Nga e hëna të gjithë ato që më parë quheshin korridore ajrore me Britaninë do të mbyllen. Britania ka mbyllur fluturimet me të gjitha vendet e Amerikës Latine dhe Portugalinë.
Kur e gjithë Britania ndodhet në lock down-in e dytë kombëtar dhe kur nivelet e infektimit janë të larta vetëm udhëtimet esenciale janë të lejuar.
Rregullat e reja do të jenë në fuqi për të paktën deri në datën 15 shkurt kur qeveria britanike do rishqyrtoj situatën dhe do të vendos për hapat e mëtejshme.
Shkencëtarët kanë shprehur frikën se mutacionet e vëna re në Afrikën e Jugut dhe Brazil mund të ndërhyjnë në efikasitetin e vaksinave dhe shmangin pjesë të sistemit imunitar tek njeriu.
Sipas profesorit, John Edmunds, anëtar i Grupit qeveritar për Emergjencat dhe Këshillimin Shkencor, mutacioni i Afrikës së Jugut, është zbuluar e ndërkohë në Britani.
Ndërkaq, sipas tij “ka shumë gjasa” që edhe shtama braziliane të jetë importuar tashmë në Britani.