image Britania e Madhe e përkrah MASH-in në projektet e reja për digjitalizimin e arsimit në Kosovë

Arsim

Britania e Madhe e përkrah MASH-in në projektet e reja për digjitalizimin e arsimit në Kosovë

news image

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, dhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, ku qeveria britanike do të mbështesë projektet e përbashkëta për ofrimin e mësimit në distancë dhe digjitalizimin e sistemit të arsimit në Kosovë.

Për shkak të pandemisë, nënshkrimi i memorandumit është bërë gjatë një takimi virtual ku, përveç ministrit Likaj dhe Ambasadorit Abbott, morën pjesë edhe drejtori i British Council me Kosovë, Angus Bjarnason dhe Jusuf Thaçi nga Instituti ATOMI.

Me këtë rast, ministri Likaj falënderoi Britaninë e Madhe, që si partner i Kosovës në fushën e arsimit po i del në ndihmë MASH-it dhe arsimit në përgjithësi.

Ministri Likaj u zotua se MASH do të kryejë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë, të cilat i ka marrë përsipër me këtë memorandum, në mënyrë që projektet të realizohen me sukses.

Projekti, i cili do të zbatohet nga Instituti ATOMI ka si fushëveprim Hartimin e Planit për Mësimin në Distancë për klasët 1-9, në rast se pandemia COVID-19 pamundëson vijimin e rregullt të procesit mësimor në objekte shkollore në shtator 2020, si dhe Hartimin e Strategjisë së Digjitalizimit të Arsimit, e cila do të përcaktojë bazat për digjitalizimin e sistemit arsimor dhe të proceseve ndërlidhëse të arsimit në Kosovë./ Gazeta Sinjali/