image Brenda dy javësh 11 shkolla në kryeqytet kaluan në mësimin online

Arsim

Brenda dy javësh 11 shkolla në kryeqytet kaluan në mësimin online

news image

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, ka bërë të ditur se brenda dy javëve në kryeqytet janë mbyllur 11 shkolla për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas Shalës, shqetësues është fakti se më shumë ka raste pozitive te nxënësit sesa te mësimdhënësit.

“Së fundmi është gjimnazi Ahmet Gashi që ka kaluar në skenarin C. Të hënën Meto Bajraktari kthehet në skenarin A. Brenda dy jave janë mbyllur gjithsej 11 shkolla, për shkak të rritjeve të rasteve, dhe ka më shumë raste te nxënësit sesa te mësimdhënësit. Në këtë kohë, rastet janë më të komplikuara, sidomos te mësimdhënësit. Te nxënësit, përjashto dy-tre raste, gjendja ka qenë e mirë. Ndërkohë, komplet një çerdhe nuk e kemi pasur të mbyllur kohëve të fundit”, ka thënë Shala në KTV.

Shala tha se sa i përket mbylljes së shkollave, kjo nuk mund të bëhet pa një vendim të nivelit qendror.

“Përderisa nuk merret vendimi nga niveli qendror, ne do të shkojmë me mbylljen e shkollave varësisht me raste. Do të veprojmë edhe sipas udhëzimeve të IKSHPK-së. Presim vendimin e Qeverisë. 11 shkolla janë në skenarin online, ndërsa disa shkolla janë në mënyrë të pjesshme online. Ne mbajmë kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Arsimit dhe tashmë Qeveria e re sapo të nisë të veprojë, mund të marrë vendime të tjera dhe ne do t’i respektojmë. Ne ende nuk kemi një fakt shkencor se kur një nxënës mund të transmetojë virusin te shoku i tij. Për këtë, ne dërgojmë të gjithë klasën apo shkollën në izolim”, shtoi ajo.

Shala ndërkohë tregoi se Këshilli i Prindërve është i ndarë në dysh sa i përket izolimit sa herë që del një rast pozitiv me COVID-19 në klasa apo shkolla, duke thënë se disa mendojnë që nuk duhet të izolohen të gjithë, ndërsa pjesa tjetër mendon se është zgjidhja më e mirë për të parandaluar transmetimin e infeksionit./Gazeta Sinjali/