Forca e Sigurisë së Kosovës pret që javën e ardhshme të fillojë kampanjën informuese të rekrutimit për akademinë ushtarake. Megjithëse pandemia ka prekur edhe nëorganizmin e aktiviteteve të Forcës, institucioni është në hap me planin e paraparë vjetor. Komandanti i Forcës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në një intervistë për KP, tregon kur pritet të nisin vitin e ri akademik me kadetët e rinjë, ndërkohë flet edhe për pranimin e kadetëve në pesë vende partnere.
Forca do të realizojë dy fushata informuese për pranimin e ushtarëve të rijnë, të cilat do të nisin me atë për pranim në Qendrën Universitare ku është një numër më i kufizuar i pranimit.
“Ne shumë shpejtë, javën e ardhshme besojmë që do e bëjmë kampanjën e rekrutimit dhe konkursi do të jetë i hapur për akademinë tonë këtu por edhe për pesë vende të tjera që kemi oferta nga partnerët tanë. Jemi me kohë, për shkak se edhe testi kombëtar që është shtyrë që do të jetë në korrik dhe pas marrjes së diplomave, certifikatave nga ana e aplikantëve, plani jonë është që t’i kryejmë të gjitha obligimet, qofshin ato kampanja të rekrutimit, përzgjedhje të seleksionimit, dhe të njëjtën kohë t’i zhvillojmë të gjitha procedurat e përzgjedhjes dhe seleksionimit dhe besojmë që do të jemi të gatshëm që në shtator të fillojmë vitin e ri akademik me kadet të rinjë”, thotë gjeneral Rama.
Në kuadër të kësaj fushate hynë edhe konkursi për pranim në akademi ushtarake të vendeve partnere Gjermania, Turqia, Kroacia, Maqedonia, ndërkohë që në Angli dy pjesëtarë të Forcës, tashmë kanë shkuar për shkollim në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst.
Akademia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me koncept amerikan, tashmë është e akredituar dhe e ka programin tërësisht në gjuhën angleze.
Gjeneral Rama thotë se u ofrojnë hapësirë për shkollim edhe vendeve të rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, meqë tashmë është akademi regjionale.
Procesi i aplikimit dhe pranimit në Forcë do të bëhet nën masa e rekomanduara nga institucionet shëndetësore.
E kampanja e dytë e cila është planifikuar të fillojë në korrik, do të jetë për ushtarë të rinjë, ku numri i të pranuarve do të jetë 400.
“Kampanja e dytë gjatë këtij viti e kemi planifikuar të fillojmë në korrik, do të jetë për rekrut të rinjë, ose ushtar të rinjë, që numri afërsisht do të jenë 400 rekurtë të rinjë dhe mbi bazën e planit tonë ne kemi planifikuar që gjatë muajit korrik ta shpallim konkursin, t’i kemi aplikantët dhe deri në shtator t’i kryejmë procedurat, përzgjedhjen e seleksionimin, dhe në shtator të fillojmë trajnimin bazik që është një trajnim 9 javor. Të gjithë ata që i kalojnë këto kritere, e kalojnë trajnimin bazik do të jenë pjesë aktive të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Pandemia nuk ka ndikuar në këtë proces, sepse ka qenë ky planifikimi jonë”, thotë ai.
Komandanti i FSK-së thotë se tre javë më parë kanë filluar punën me personel qind për qind dhe ka dhënë urdhër që të arrihet afati kohor i planifikuar në planin vjetor.
“Kemi disa kontrata dhe presin disa furnizime që janë shumë të rëndësishme për Forcën dhe vendin tonë, që ndikojnë direkt në ngritjen e kapaciteteve të reja por edhe direkt në operacionalitet të njësive të thirrura, bazuar në ligj dhe rregullore që i kemi”, thotë ai.
Në këtë kohë të pandemisë kanë ardhur lajme të mira nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Dje kanë dalur të diplomuarit e parë nga akademia prestigjioze në West Point, dy pjesëtarë të Forcës të cilët katër vjet më parë nisën shkollimin atje.
Gjithashtu, FSK ka tre kadetë të rinjë që sivjet fillojnë shkollimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy West Point dhe për herë të parë një kadet në Forcat Ajrore të ShBA-ve.
Në mundësinë e parë kur funksionalizohen fluturimet ata do të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara./Gazeta Sinjali/