Policia e Kosovës në Pejë, sonte për herë të dytë pas më shumë se 10 ditësh e ka gjobitur me 200 euro një taksist, pasi i njëjti në të dyja rastet ishte hasur duke punuar gjatë orës policore, shkruan Gazeta Sinjali.
Taksisti i gjobitur ka folur për Gazetën Sinjali, i cili tha se kjo është hera e dytë që është dënuar me vlerë prej 200 eurosh. Herën e parë i është shqiptuar tiketa, një ditë pas hyrjes në fuqi të masave të reja anti-COVID, të miratuara nga Qeveria e Kosovës, më 14 nëntor.
I njëjti tha për Sinjalin se përkundër se ka tentuar që t’u prezantojë zyrtarëve policorë licensën e tij të punës, ata nuk kanë pranuar ta shohin.
Gazeta Sinjali ka tentuar që të marrë informacione edhe nga Policia e Kosovës në rajonin e Pejës, por ata kanë qenë të paqasshëm.
Për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që lëvizja e qytetarëve në Komunën e Pejës të ndalohet nga ora 19:00 deri në orën 05:00. Por, në të njëjtin vendim pika e nëntë thotë se “Taksitë lejohen të punojnë me vetëm një (1) pasagjer prapa ose tre (3) nëse janë anëtarë të familjes”.
Gazeta Sinjali ka raportuar edhe më parë për rastet kur janë dënuar taksistët dhe ata që kanë pasur leje qarkullimi gjatë orës policore./Gazeta Sinjali/