Kolumbia e ka nisur me sukses paraqitjen e saj në Kupën e Botës 2026, pasi triumfoi 3-1 ndaj Uzbekistanit në sfidën hapëse të Grupit K, e zhvilluar në Mexico City.
Një nga figurat kryesore të takimit ishte Luis Diaz, i cili la gjurmë me një asist dhe një gol, duke qenë vendimtar në sigurimin e tri pikëve për kombëtaren kolumbiane.
Që në fillim, ndeshja u karakterizua nga intensitet i lartë dhe duele të forta në fushë. Mundësia e parë e rrezikshme erdhi në minutën e 17-të, kur Arias provoi portën me një goditje nga distanca. Më pas, në minutën e 32-të, Luis Diaz ishte shumë pranë realizimit, por tentativa e tij përfundoi në shtyllë.
Kolumbia kaloi në epërsi pak para pushimit. Në minutën e 41-të, pas një harkimi të saktë në zonë nga ylli i Bayernit, Daniel Munoz u pozicionua mirë dhe dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-0.
Në pjesën e dytë, përzgjedhësi i Uzbekistanit, Fabio Cannavaro, vendosi të ndryshojë lojën me dy zëvendësime, të cilat sollën efektin e dëshiruar. Pas një pritjeje të portierit Vargas ndaj goditjes së Shomurodovit, topi mbërriti te Abbosbek Fayzulayev, i cili barazoi shifrat në 1-1 në minutën e 60-të.
Megjithatë, festa e Uzbekistanit nuk zgjati shumë. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Kevin Castano organizoi një kundërsulm të shpejtë dhe gjeti Luis Diazin në krahun e majtë, ndërsa sulmuesi kolumbian finalizoi me saktësi për të rikthyer avantazhin 2-1.
Në vazhdim, Uzbekistani kërkoi golin e barazimit, por Kolumbia ruajti kontrollin e lojës. Në minutën e nëntë të shtesës, Jaminton Campaz vulosi fitoren me një goditje me kokë, duke vendosur rezultatin përfundimtar 3-1.
Me këtë sukses, Kolumbia e nis në mënyrën më të mirë rrugëtimin në Botërorin 2026. Nga ana tjetër, Uzbekistani, që debuton në këtë kompeticion nën drejtimin e Fabio Cannavaros, tregoi paraqitje inkurajuese pavarësisht se mbeti pa pikë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!