image Bota po përballet me pandemi, OBSH ka edhe probleme të tjera me SHBA-të

Botë

Akuza/ Bota po përballet me pandemi, OBSH ka edhe probleme të tjera me SHBA-të

news image

Organizata Botërore e Shëndetësisë, përveç pandemisë është duke u përballu edhe me akuzat që vijnë nga kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump për mosparalajmërimin e duhur dhe në kohë për shfaqjen e koronavirusit.

Pasi Presidenti Trump njoftoi të martën se do të pezullonte fondet amerikane që mbështesin operacionet e OBSH, drejtuesit e organizatës theksuan rëndësinë e partneriteteve dhe mbështetjes për misionin.

Drejtuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë iu kundërvunë akuzave se OBSH u vonua në paralajmërimin e publikut për rrezikun nga koronavirusi:

“Ideja që duhet të hidhemi në mbrojtje në këto momente është disi e çuditshme. Në javët e para të janarit, OBSH u shpreh shumë, shumë qartë. Ne paralajmëruar botën më 5 janar. Institucionet në mbarë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara filluan më 6 janar të aktivizojnë sistemet e menaxhimit ndaj situatave të prapritura. Në javët që pasuan kemi dhënë informacione të vazhdueshme me të rejat e fundit, përfshirë të dhëna për qeveritë, si dhe për shkencëtarët në skaje të ndryshme të globit. Virusi u identifikua më 7 janar. Sekuenca na erdhi më 12 janar,” thotë Dr. Michael Ryan.

Drejtori i Programeve të Emergjencave të OBSH, Dr. Michael Ryan thotë se paralajmërimi i organizatës duhet të ishte pasuar nga masa mbrojtëse dhe përgatitore në vendet individuale.

“Kur OBSH nxori udhëzimet,e bëri tepër të qartë se duheshin marrë masa për një kërcënim që godet sistemin e frymarrjes. Laboratoret duhet të kishin reaguar me masat e nevojshme, me marrjen e mostrave që kjo sëmundje të mos përhapej nga një person tek tjetri,” thotë zyrtari i OBSH.

Për më tepër, thotë Dr.Ryan, paralajmërimi bënte të qartë nevojën për rezerva me aparatura spitalore, përfshirë aspiratorë.

Drejtori i Përgjithshëm i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus pohoi se kjo ishte një periudhë e vështirë, por theksoi se OBSH do të vazhdonte t’u qëndronte në krah vendeve që përballen me këtë krizë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me çdo partner për t’u shërbyer popujve në botë me një angazhim të patundur ndaj shkencës dhe në solidaritet,” tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Megjithë akuzat dhe vëmendjen e padëshiruar në këtë situatë, organizata vazhdon punën për të gjetur një kurë ose vaksinë kundër sëmundjes.

“Deri tani tre vaksina janë në prova klinike. Mbi 70 të tjera janë në procesin e zhvillimit.Po punojmë me partnerë për të përshpejtuar procesin e zhvillimit, prodhimit dhe shpërndarjes,” tha Dr. Adhanom Ghebreyesus.

Që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë nxori paralajmërimin e parë për koronavirusin, infeksione janë shfaqur në 185 vende të botës gjatë tre muajve të fundit dhe janë prekur mbi 2 milionë vetë./ Gazeta Sinjali/