Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell do t’i informojë sot ministrat e jashtëm të vendeve anëtare për rezultatet e vizitës së emisarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në Beograd, Prishtinë dhe Podgoricë.
Vizita e Lajçakut në rajon do të paraqitet si pjesë e një rishikimi ministror të “çështjeve aktuale” dhe “angazhimeve të fundit të BE-së në Ballkanin Perëndimor”.
Kryediplomati evropian do të informojë gjithashtu ministrat e jashtëm të BE-së në lidhje me situatën në Venezuelë, zhvillimet e fundit në Gjeorgji dhe Birmani.
Dy pikat më të rëndësishme në agjendën e Këshillit të BE-së do të jenë marrëdhëniet me Rusinë dhe Turqinë, shkruan portali Kosovo Online.
Borrelli së pari do të paraqesë shkurtimisht zhvillimet e fundit në marrëdhëniet e BE-së me Rusinë, pas miratimit të shpejtë të sanksioneve kundër atyre që janë përgjegjës për arrestimin, ndjekjen penale dhe dënimin e politikanit rus të opozitës Alexei Navalny.
Një debat ministror pritet gjithashtu, i cili do të shërbejë si një hyrje në debatin strategjik mbi marrëdhëniet BE-Rusi, i planifikuar për në samitin e BE në 25 dhe 26 mars.
Përpara Këshillit Evropian më 25 dhe 26 mars, ministrat do të kenë një diskutim strategjik mbi gjendjen aktuale të marrëdhënieve BE-Turqi dhe do të vlerësojnë marrëdhëniet në kontekstin më të gjerë të zhvillimeve të fundit në Mesdheun Lindor dhe çështje të tjera rajonale. /Gazeta Sinjali/