Josep Borrell, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ka thënë se operacioni i djeshëm i Policisë së Kosovës, duke iu referuar arrestimit të Milun Milenkovic i njohur me nofkën “Lune” nuk ka qenë i koordinuar me KFOR-in dhe EULEX-in.
Kjo u përmend në letrën që ia ka kthyer kryeministrit Albin Kurti për kushtet e propozuara nga për të de-përshkallëzuar situata në Veriun e Kosovës.
Borrell ka kërkuar nga Kurti që ta ketë partner KFOR-in dhe EULEX-in edhe për sferën e sundimit të ligjit.
”Lidhur me vlerësimet e mundshme të përbashkëta të sigurisë, këto mund të diskutohen pasi të ketë ndodhur de-përshkallëzimi. Megjithatë, kjo do të thotë se ju duhet t’i merrnit plotësisht parasysh mendimet e EULEX’it dhe KFOR’it dhe t’i trajtoni si partnerë, që do të thotë edhe koordinimin paraprak me ta. Me keqardhje konstatojmë se nuk ishte rasti me operacionin e djeshëm në Mitrovicën e Veriut. Prandaj, çdo masë e ardhshme për sundimin e ligjit në veri të Kosovës do të duhej të diskutohej dhe të vlerësohej individualisht së bashku me EULEX’in dhe KFOR’in. Ngjarjet e së kaluarës kanë treguar se jo çdo masë e ndërmarrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë në kontekstin e mjedisit shumë të brishtë”, thuhet në letën e Borrellit.
Ai ka kërkuar veprime nga Kosova veprime de-përshkallëzuese për situatën në Veri. Ndërkaq ka thënë se Serbisë do t’i kërkojë largimin e elementëve radikalë nga ato zona.