Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka dalë me një deklaratë zyrtare pas përfundimit të takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq ku u dakordua Deklarata për Personat e Zhdukur.
Borrell, në një konferencë për mediat ka thënë se palët kanë ndërmarrë gjithashtu edhe një hap drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndonëse ka thënë se ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë mbi këtë çështje.
“Palët kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo marrëveshje është bërë para 10 viteve. Sot para palëve, ekipi i përbërë nga serbë të Kosovës, është prezantuar drafti i parë, po nuk është përfundimtar. Kjo është në përputhje me pikën 7 të marrëveshjes”, ka thënë Borrell.
Borrell u ka bërë thirrje të dyja palëve që të jenë konstruktive dhë të gatshme për kompromise.
“Kurti i dha këndvështrimet e tij për mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë. Këndvështrimet mes palëve janë të ndryshme sa i përket Asociacioinit të Komunave me Shumicë Serbe. Dua të inkurajoj të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për këto negociata, dhe të jenë të gatshme për të bërë kompromise. Procesi duhet të udhëzohet nga marrëveshjet e kaluara”, ka thënë ai.
“Kemi shumë raste të Asociacioneve në Evropë, me natyra të ndryshme”, ka vazhduar Borrell
Borrell ka deklaruar se BE do ta lehtësojë procesin për ta mundësuar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Gjithashtu, kryediplomati i BE-së ka folur edhe për zgjedhjet në veri. Ai ka thënë se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme politike dhe se mund ta çojnë situatën drejt përshkallëzimit.
“Shkalla e daljes në zgjedhje në veri, nuk ofron një zgjidhje politike afatgjatë. Përkundrazi, kanë potencial për të çuar drejt përshkallëzimit, kështu që kam inkurajuar të dyja palët që të gjejnë një zgjidhje, që u mundëson serbëve të Kosovës që shpejt të kthehen në institucione që i kanë braktisur në nëntorin e kaluar. Të dy liderët pranuar peshën e gjendjes në terren dhe është e domosdoshme të merren veprime për të evituar rrezikun e përshkallëzimeve”, ka deklaruar Borrell.