Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka njoftuar se sot Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në takime të ndara në Paris.
“Për t’i vazhduar përpjekjet e BE-së për t’i ndihmuar Kosovën dhe Serbinë që të depërshkallëzojnë, të zbusin tensionet aktuale dhe të avancojnë dialogun e lehtësuar nga BE, Josep Borrell do të takohet me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin nesër në Paris në takime të ndara”, ka shkruar Stano dje në Twitter.
Për këtë takim ka folur edhe kryeministri Kurti para nisjes për në Paris ku po merr pjesë në një samit për paqe e ku prezent është edhe Vuçiq.
Kurti tha se në Paris po shkon me dy propozime – një për kornizën e marrëveshjes dhe tjetri për propozimin franko-gjerman.
“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”, ka thënë Kurti dje.