image Bordi i shkarkuar i PTK-së paditë Qeverinë Kurti, thonë se bëri shkelje ligjore

Kosovë

Drejtësi/ Bordi i shkarkuar i PTK-së paditë Qeverinë Kurti, thonë se bëri shkelje ligjore

news image

Gjashtë ish-anëtarët e Bordit të Postës së Kosovës, të shkarkuar nga Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti, kanë paditur të hënën ekzekutivin për vendimin e datës 2 prill 2020, që i zëvendësoi ata me një bord të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike.

Padia është dorëzuar sot përmes avokatit në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, ish-kryesuesi i këtij bordi Halit Isufi , i cili tha se qeveria në detyrë ka bërë shkelje ligjore në mandatimin e Bordit të Përkohshëm dhe se nuk e ka arsyetuar shkarkimin e bordit të kaluar.

“Po është e vërtetë, Bordi i Postës së Kosovës ka dorëzuar padi kundër qeverisë. E kemi dorëzuar sot përmes Avokatit. Qeveria ka bërë shkelje ligjore në procesin e mandatimit të Bordit të Përkohshëm, nuk e ka dokumentuar shkarkimin tonë! Na ka quajtur hajna. Duhet të na tregojë se çka kemi vjedhur. Na ka etiketuar për gjakderdhje financiare, term ky që nuk e kuptoj. Është dashur ta dokumentojë! Gjakderdhje ndryshe janë duke bërë vet Qeveria e Kosovës sepse po shpenzon tash dyfishin në kurriz të bugjetit të shtetit. Ndryshe nuk është bazuar në asgjë të dokumentuar për të na shkarkuar perveç në një deklaratë të ministres në dy fjalë. Thjesht ka qenë shkarkim puro politik”, ka Isufi për Gazetën Sinjali.

Përmes kësaj padie, ish kryesuesi i këtij bordi, Halit Isufi dhe ish-anëtarët tjerë Hysen Fazliu, Rushan Ceka, Zelfije Pllana, Nuhi Provoliu dhe Ylber Zabërgja, pretendojnë se Qeveria e shkarkuar Kurti në vendimin për shkarkimin e tyre nga drejtimi i ndërmarrje publike ‘Posta e Kosovës’ ka kryer shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative.

“E paditura [Qeveria e Kosovës] nuk ka arritur të arsyetojë vendimin e saj, por ka vendosur në bazë të propozimit të ministres së MEPTINIS të dt. 26.02.2020,e kjo e fundit në tërësi ka paraqitur fakte të pavërteta lidhur me punën e bordit në fjalë, për të cilin kemi bindjen e plotë se një vendim i tillë është në tërësi vendim politik dhe kundërligjor”, thuhet në këtë padi.

Aty, kërkohet anulimi i aktit administrativ për shkarkimin e ish-bordit të ‘Postës së Kosovës’ dhe kërkohet që Gjykata Themelore e Prishtinës të detyrë Qeverinë e Kosovës që ish-anëtarët e shkarkuar të kësaj ndërmarrje të kthehen në pozitat e tyre dhe të kompensohen për pagat e humbura nga dita e shkarkimit.

Ndryshe, pas vendimit për shkarkimin e këtij bordi, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit, në mbledhjen e 2 prillit 2020 ka marrë vendim për emërimin e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike ‘Posta e Kosovës’.

Anëtarët e ri të bordit janë: Mentor Arifaj, kryesues dhe drejtor; Kujtim Shala, drejtor; Sajmie Thaçi, drejtore dhe Blerton Abazi, drejtor./GazetaSinjali/