Pas tetë sezoneve të transmetuara në RTK, seriali “Çka ka shpija” nuk është më pjesë e këtij televizioni.
Në Komisionin parlamentar për Buxhet, Punëve dhe Transfereve, kryesuesi i bordit të RTK-së, Besnik Boletini tha se transmetimi i këtij seriali është mundësuar në mënyrë jo të rregullt.
Sipas tij menaxhmentet dhe produksionet janë marr vesh mes vete. Boletini tha se kanë vendosur që për produkte të tilla nga jashtë të hapin konkurse në të cilat mund të aplikojnë të gjitha produksionet.
“Nuk ka shkuar në mënyrë të rregullt si produksion i jashtëm dhe ne si bord kemi vendos që me ato mjete që i kemi në dispozicion do të hapet konkurs publik që të aplikojnë të gjitha produksionet dhe ato të angazhohen në këtë mënyrë, jo me marrëveshje direkt mes menaxhmentit dhe produksioneve të jashtme. Do të ketë konkurs dhe komisione profesionale të cilat do t’i vlerësojnë dhe ne do t’i angazhojmë si bord me ato mjete të cilat i kemi në dispozicion”, tha Boletini.
Ai shtoi se, borxhet që RTK-ja i ka janë krijuar pikërisht ndaj këtyre produksioneve të jashtme, të cilat kanë qenë të angazhuar në televizionin publik me anë të kontratave për shërbime.
Po ashtu, bëri të ditur që shumë shpejt do të hapet konkurs dhe kushdo që është i interesuar prej produksioneve të jashtme do të mund të aplikojë.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se mund të ketë marrëveshje të negociuar për ndonjë produkt si seriali “Çka ka shpija”, për të cilin sipas tij është ndër më të shikuarit.
“Kur ka interes organizata, kur ka interes publiku, kur ka interes shoqëria jonë, mundësia e negicimit direkt ekziston. Si s’ka mundësi me negociu direkt një grup intelektualësh, artistash për një emision që – kolegu e tha – është ndër më të shiquarit”, tha Shala.
Kryesuesi i bordit të RTK-së tha se do të ketë kritere tjera për pranimin e produksioneve, ku çmimi më i ulët nuk është më i rëndësishëm.
“Nuk është çmimi më i ulët kriteri. Do të jetë edhe përmbajtja e projektit”, tha Boletini. /GazetaSinjali/