Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi të shtunën një pikëkalim kufitar midis Polonisë dhe Ukrainës, të cilin qindra-mijëra persona po e përdorin për t’u larguar pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Blinken po ashtu vizitoi një qendër në Poloni ku po qëndrojnë rreth 3,000 refugjatë. Ai tha se Uashingtoni po përgatitet që të ndajë edhe 2.75 miliardë dollarë për krizën humanitare.
“Populli i Polonisë e di se sa e rëndësishme është të mbrohet liria”, tha ai pasi bisedoi me ministrin e Jashtëm polak, Zbigniew Rau. Ky takim u zhvillua në qytetin Rzeszov, në juglindje të Polonisë.
“Polonia po bën punë vitale në përgjigje të krizës”, shtoi ai.
Sekretari Blinken tha se Shtëpia e Bardhë do të ndajë 2.75 miliardë dollarë në mbështetje të personave që po largohen nga Ukraina dhe për shtetet që po i pranojnë refugjatët, pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.
Rojet kufitare polake thanë të shtunën se afro 827,600 kanë arritur në Poloni nga Ukraina.
Edhe shtetet e tjera në kufi me Ukrainën, siç janë Hungaria, Moldavia, Rumania dhe Sllovakia po ashtu kanë pranuar refugjatë.
Ministri polak, Rau tha se Polonia do të mbajë dyert e hapura për refugjatët.
“Agresioni rus në Ukrainë ka shkaktuar një krizë humanitare në një shkallë të paimagjinueshme”, tha Rau.
“Prioriteti ynë është që të organizojmë në mënyrë efektive ndihmën për qindra-mijëra refugjatë, të cilët shumë shpejt do të bëhen miliona”.
Ai akuzoi forcat ruse se po kryejnë “krime lufte” duke granatuar zonat e banuara, shkruan REL.
Blinken po ashtu është takuar edhe me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki, i cili bëri thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë duke thënë se duhet “të goditet makineria e luftës së Vladimir Putinit”.
Blinken po viziton shtete kyçe të Evropës për të treguar mbështetjen e Uashingtonit dhe për të treguar unitetin e Perëndimit kundër Moskës.
Ai pritet të vizitojë Moldavinë dhe tri shtetet e Baltikut.