image Bizneset në Kosovë humbën rreth 1 miliard euro gjatë pandemisë

Biznes

Bizneset në Kosovë humbën rreth 1 miliard euro gjatë pandemisë

news image

Nga fillimi i pandemisë e deri më tani humbjet e bizneseve në vend janë 1 miliard euro, që është një alarm për vendimmarrësit.

Kështu është thënë në konferencën e përbashkët të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kryetari i OEK, Berat Rukiqi, theksoi se nëse nuk intervenohet në shtator dhe në muajin tetor, kolapsi ekonomik është i pashmangshëm dhe sipas tij, do të ketë mbyllje të vendeve të punës dhe falimentim të bizneseve.

Rukiqi tha se gjendja ekonomike është e rëndë dhe institucionet po tregojnë paaftësi për trajtimin e kësaj gjendje.

Ndërsa, edhe sot në Kuvend nuk ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Drejtori ekzekutiv i OEAK, Arian Zeka, ka thënë se mosmiratimi i këtij projektligji në Kuvend është për keqardhje.

“Ky ligj është mjaft me rëndësi për vendin, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë ekonomike të shkaktuar nga Covid-19”, tha ai.

Zeka ka folur edhe për rëndësinë e marrëveshjes të arritur në Shtëpinë e Bardhë që do të jetë mjaft e dobishme sipas tij, nëse nisin së zbatuari./Gazeta Sinjali/