Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë kërkon nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij që të merret në konsideratë gjendja e rënduar financiare e bizneseve dhe të mos kushtëzohen punëtorët e sektorit privat, ashtu siç nuk janë kushtëzuar punëtorët e sektorit publik dhe kompanive publike.
Po ashtu kërkojnë që të bëhet ekzekutimi i menjëhershëm apo në dy pjesë për punëtorët e sektorit privat në shumën 200 euro, ashtu siç është duke iu dhënë punëtorëve të sektorit publik.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi, në një konferencë për media, tha se sipas vendimit të Qeverisë të muajit shtator punëtorët e sektorit publik për 4 muaj radhazi po marrin nga 50 euro më shumë ose 200 euro, pavarësisht se ata i kanë pagat më të larta së në sektorin privat.
“Punëtorët e kompanive publike po marrin shtesa nga buxheti i shtetit pa asnjë kushtëzim edhe pse pagat e tyre janë pothuajse për 80 për qind më të larta se të sektorit privat”, tha kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi.
Krasniqi tha se realizimi i kësaj mase në bazë të analizave që është duke i bërë DHTIK, rezulton të jetë shumë e vështirë për një pjesë të madhe të bizneseve.
Kjo për arsye se punëdhënësit e sektorit privat e që është shumicë, si rezultat i mospërkrahjes së mjaftueshme nga ana e shtetit, e cila është më e vogla në rajon dhe Evropë, po e kanë shumë të vështirë t’i mbajnë punëtorët në punë e mos të flasim për ngritjen e pagave.
Sipas Krasniqit, bizneset janë duke hasur në shumë probleme me inkasim të mjeteve dhe sigurimin e qëndrueshmërisë financiare, në mënyrë që të mos te vije deri tek falimentimi.
Ai tha se biznesi në vazhdimësi ngritë pagat në bazë të mundësive që i ka, dhe që është e ndërlidhur me sektorët, kërkesën e tregut, kapacitetet e tyre dhe politikat fiskale që ofron shteti.
“Fatkeqësisht, reagimi i Qeverisë është shumë i ngathtë dhe shumë i ngadalshëm dhe nuk është në përputhje me nevojat dhe kërkesat e bizneseve në këtë kohë. Natyrisht se jemi duke pritur, jemi në konsultime të vazhdueshme me bizneset dhe në bazë të kësaj situate do të shikojmë edhe veprimet tjera lidhur me mos reagimin qeveritar. Po shpresojmë që kryeministri do të gjejë kohë që të merret me shtyllën kryesore të vendit, që është zhvillimi. Dhe shtylla kryesore e zhvillimit, është biznesi. Kur biznesi ka sfida, ka probleme, shteti e punëtorët të gjithë kemi probleme. Mos zhvillimi i vendit dhe mos rritja e punësimit në krahasim me nevojat që janë. Janë rreth 400 mijë të punësuar nga 1.2 milion qytetarë në moshë pune, ndërkohë që vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut kanë mbi 800 mijë të punësuar me popullatë të njëjtë, kjo ndodhë si rezultat i politikave të tyre më të mira që i kanë”, tha ai.
Megjithatë, Krasniqi thekson se shkelje të njëjta të të drejtave të punëtorëve janë bërë edhe me fillimin e pandemisë.
“Shkelje të njëjta të të drejtave të punëtorëve janë bërë edhe me fillimin e pandemisë në vitin 2020, ku punëtorët e sektorit privat që mbeten pa punë si rezultat i ndalesave të punës nga ana e Qeverisë, për muajin mars morën nga 170 euro, në fund të muajit prill, ndërsa për muajin prill i morën në shtator pavarësisht që pagat e tyre kanë qenë 400, 500 apo 1000 euro, ndërkohë që punëtorët e sektorit publik, edhe pse mbi 80 për qind e tyre nuk kanë punuar gjatë vitit 2020 dhe 2021, kanë marrë pagat e plota nga ana e buxhetit të Kosovës. Konsiderojmë se kjo është shkelje e rëndë kushtetuese e të drejtave të qytetarëve dhe punëtorëve, dhe institucionet përkatëse do të duhej të merren me këto çështje”, tha ai