image Bislimi: Në takimin e fundit Kosovë-Serbi u diskutua për asociacionin

Politikë

Bislimi: Në takimin e fundit Kosovë-Serbi u diskutua për asociacionin

news image

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ka dhënë detaje nga takimet që ka pasur me palën serbe në Bruksel, raporton Gazeta Sinjali.

Bislimi ka shkruar se në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë pasur takime të ndara me BE-në. Sipas tij në këtë takim janë identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saja.

Në Bruksel kemi pasur fillimisht takime të ndara Kosovë-BE dhe Serbi-BE. Takimi Kosovë-BE është mbajtur ditën e martë dhe ka zgjatur 6 orë e gjysmë, plus 1 orë e 20 minuta dy takime tet-a-tet mes meje dhe z. Lajçak. Në këtë takim mes tjerash kemi identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saja. Me asnjë fjali të vetme nuk është përmendur asociacioni. E vetmja çështje ku qëndrimi ynë dhe i BE nuk ka qenë i njëjtë kishte të bënte me tabelat KS“, ka shkruar ai në Facebook.

Bislimi tutje ka thënë se në takimin e fundit, pala serbe ka ngritur 5 çështje, si tema për të cilat pretendon se Kosova nuk i ka përmbushur obligimet e saj.

Ai ka theksuar se te pjesa ku është diskutuar për asociacionin ka përmendur strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë.

Në përgjigje, te pjesa e asociacionit, fillimisht kam konstatuar mungesën e kredibilitetit moral nga ana e Serbisë për të kërkuar çfarëdo implementimi nga pala kosovare, për aq kohë sa ata vetë nuk kanë implementuar asnjë marrëveshje tek e cila nuk kanë parë përfitim për Serbinë“, është shprehur Bislimi.

Ndër tjera thotë se i kam radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa, dhe kam vërtetuar që me kohë Serbia jo që ka punuar në shuarjen e tyre, por i ka fuqizuar të njëjtat, përfshirë vendimet për emërime të nënshkruara nga individë kyç si presidenti, kryeministri apo kryetari i parlamentit serb, dhe problemet me transferin ilegal të parave për financim të tyre.

“Kam përmendur ndërmarrjet që operojnë ilegalisht në Kosovë, si dhe kryetarët e disa komunave të cilët në të njëjtën kohë kanë buruar nga zgjedhjet lokale në Kosovë dhe financohen nga buxheti i Kosovës dhe janë edhe të emëruar si kryetarë të “institucioneve të përkohshme” të Serbisë në Kosovë”, shtoi ai. /GazetaSinjali/