image Bislimi dhe Petkoviq pritet të takohen javën e ardhshme në Bruksel

Politikë

Bislimi dhe Petkoviq pritet të takohen javën e ardhshme në Bruksel

news image

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq do të takohen javën e ardhshme në Bruksel.

Dy kryenegociatorët për dialogun pritet të diskutojnë për ujdinë e re për targa të automjeteve pak ditë para skadimit të marrëveshjes së tetorit.

Nga opozita thonë se janë humbur shumë kohë për një marrëveshje teknike e cila nuk është ndonjë e arritur, ndërkohë në shoqërinë civile thonë se është momentumi i duhur për arritjen e një marrëveshjeje të re.

Takimi i javës së ardhshme u konfirmua nga zyrtarë të Qeverisë për KosovaPress.

Takimet thirren dhe organizohen nga ndërmjetësuesi i këtij procesi. Ato megjithatë duhet të jenë të dakorduara paraprakisht, me agjendë të qartë dhe tema përmbajtjesore. Ne në vazhdimësi kemi treguar gatishmëri për takime të tilla. Kurse sa i përket takimit në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Petkoviq pritet të takohen gjatë javës tjetër”, thuhet në një përgjigje me shkrim.

Takimet e tilla, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj i quan si teknike që po i humbasin Kosovës muaj të tërë. Ajo thotë se pala kosovare duhet të fokusohet në dialog politik për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Kemi kërkuar që të hiqemi prej dialogut teknik dhe të kalojmë në dialogun politik. Ajo çka duhet të dialogohet është marrëveshja përfundimtare që e njeh pavarësinë e Kosovës, njeh kufijtë aktual, organizimin e brendshëm të Kosovës. Kjo duhet të negociohet dhe jo të humben muaj të tërë dhe të negociojmë për targat që nuk është ndonjë e arritur. Duhet të kalojmë prej nivelit teknik në atë politik dhe kjo qeveri duhet të fokusohet këtu”, thotë ajo.

Nga ana tjetër, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se mosarritja e një marrëveshjeje do të detyrojë BE-në të fajësojë publikisht palën bllokuese të marrëveshjes.

Nëse e shohim se dialogu është në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve dhe marrë parasysh se ka pasur një lloj suksesi marrëveshja paraprake e përkohshme për targa, është momentumi i duhur që pas zgjedhjeve në Serbi kjo marrëveshje të bëhet marrëveshje e përhershme me modalitet të ri që palët të vendosin se si dhe liria e lëvizjes të jetë e zhbllokuar për të dy palët“, tha ai.

/GazetaSinjali/