Trajneri i ri i Kroacisë, Slaven Biliç, ka bërë të ditur se detyra e tij e parë do të jetë një bisedë me Luka Modriçin, me synimin për ta bindur që të vazhdojë karrierën ndërkombëtare.
Biliç rikthehet në krye të përfaqësueses kroate pas largimit të Zlatko Daliç, i cili u dorëhoq pas nëntë vitesh drejtim pas përfundimit të Kupës së Botës.
Gjatë prezantimit të tij, trajneri 57-vjeçar tha se nuk do t’i bëjë presion kapitenit të Kroacisë, por do t’i afrohet me respekt, duke e vlerësuar rëndësinë e tij për kombëtaren.
“Hapi i dytë është të flas me lojtarët, veçanërisht me Luka Modriçin. Të gjithë e dimë se kush është Luka. Vendimi është tërësisht i tij, duke pasur parasysh atë që përfaqëson për futbollin dhe për kombëtaren tonë”, deklaroi Biliç.
Modriçi, kapiteni dhe lojtari me më së shumti paraqitje në historinë e Kroacisë, ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij me ekipin kombëtar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!