image Finalja e Botërorit: Sa paguhet Vinçiq për të ndarë “shapin prej sheqerit”?

Futboll

Finalja e Botërorit: Sa paguhet Vinçiq për të ndarë “shapin prej sheqerit”?

news image

Gjyqtari slloven Slavko Vinçiq pritet të përfitojë rreth 60 mijë dollarë (afërsisht 52.500 euro) vetëm për drejtimin e finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës.

Sipas gazetës sllovene Delo, kjo shumë është pagesa e parashikuar për arbitrin kryesor të finales, ndërsa të ardhurat totale të Vinçiqit gjatë gjithë turneut mund të arrijnë deri në rreth 140 mijë dollarë (rreth 120 mijë euro), duke përfshirë edhe bonuset dhe pagesat e tjera.

Shuma përfundimtare mund të ndryshojë, pasi FIFA nuk ka publikuar zyrtarisht detajet e pagesave për gjyqtarët e Kupës së Botës.

Përveç pagesës për finalen, Vinçiq do të marrë edhe tarifën fikse prej rreth 70 mijë dollarësh për pjesëmarrjen në turne. Atij i shtohen edhe pagesat për ndeshjet e drejtuara, të cilat raportohet se janë rreth 3 mijë dollarë në fazën e grupeve dhe mbi 5 mijë dollarë në fazën eliminatore.

Vinçiq u përzgjodh nga FIFA si arbitri kryesor i finales mes Spanjës dhe Argjentinës. Vendimin ia komunikoi presidenti i Komitetit të Arbitrimit të FIFA-s, Pierluigi Collina, ndërsa 46-vjeçari nuk i fshehu emocionet për këtë moment të rëndësishëm në karrierën e tij.

Finalja do të zhvillohet të dielën në stadiumin MetLife në New York, nga ora 21:00, ku Vinçiq do të asistohet nga bashkëkombësit Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovaçiq.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/