image Gruaja bie nga çatia në Gjermani, burri e sulmoi me thikë

Evropë

Gruaja bie nga çatia në Gjermani, burri e sulmoi me thikë

news image

Një grua 30-vjeçare ka mbetur në gjendje kritike për jetën pasi u rrëzua nga çatia e një ndërtese banimi në lagjen Malstatt të Saarbrückenit në Gjermani, ndërsa bashkëshorti i saj, 31 vjeç, është arrestuar nën dyshimet për tentim vrasjeje.

Sipas Policisë gjermane, ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 21:00. Një patrullë policore vërejti gruan në një strehë të çatisë së një pallati shumëkatësh dhe tentoi të ndërhynte, por ajo ra disa metra poshtë në trotuar para se efektivët të arrinin në banesë.

Hetimet paraprake tregojnë se çifti ishte përfshirë fillimisht në një konflikt brenda banesës. Gruaja dyshohet se kishte dalë në çati për t’u larguar, por 31-vjeçari e kishte ndjekur dhe e kishte sulmuar me një mjet therës. Pas sulmit, ajo u rrëzua nga lartësia, duke pësuar lëndime të rënda që rrezikojnë jetën.

E plagosura mori ndihmën e parë në vendin e ngjarjes dhe më pas u transportua me urgjencë në spital, raporton media gjermane Bleulight, transmeton Sinjali.

Në banesë ndodhej edhe fëmija i mitur i çiftit, i cili pas ngjarjes iu dorëzua Shërbimit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

I dyshuari hapi derën e banesës pak minuta më vonë dhe u arrestua pa bërë rezistencë. Policia sekuestroi edhe një mjet therës, i cili dyshohet të jetë përdorur gjatë sulmit.

31-vjeçari pritet të dalë para gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, ndaj tij vlen prezumimi i pafajësisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/