Shefi i GP-së së partisë Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka konfirmuar se në ditën kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës do të votohet edhe për marrëveshjen e IPA-s, mosvotimi i së cilës do t’i sillte Kosovës 90 milionë euro humbje, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë deklaratë Sherifi e ka dhënë pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ku edhe u caktua data e seancës për shpërbërjen e Kuvendit, më 22 gusht në ora 10:00.
“Po atë ditë më 22 gusht sipas Sherifit kryesia është dakorduar që të votohet edhe marrëveshja e IPA-s”, tha Sherifi, raporton Gazeta Sinjali.
Mosvotimi i “Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2018”, kishte rrezik t’ia humbte kuletës së shtetit 90 milionë euro.
Me tej, Sherifi ka thënë se java e fundit e muajit shtator ose java e parë e muajit tetor do të jetë koha e mbajtjes së zgjedhjeve.
Kuvendi po shpërbëhet pas dorëheqejes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës. Pas vendimit të Haradinajt, partitë politike kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme dhe jo mandatar të ri për Qeverinë.
Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje për shkak të ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale, është ftuar në cilësinë e të dyshuarit./Sinjali/