image Bie numri i studentëve aplikantë në universitetet publike

Arsim

Bie numri i studentëve aplikantë në universitetet publike

news image

Frika se mund të humbasë një vit akademik e detyroi Xheneta Mustafën të regjistrohet për studime në një kolegj privat.

Fillimisht, maturantja nga Ferizaj kishte dëshirë të regjistrohej në Universitetin e Prishtinës (UP), në drejtimin Juridik, por thotë se hapja e vonshme e konkursit e bëri të heq dorë nga aplikimi në UP.

“Unë suksesin e kam pasur të shkëlqyeshëm dhe kam pasur mundësi që të hyj në UP, mirëpo afatet i kanë hapur shumë vonë të hyja në provim e të prisja se a e kaloj, të prisja për vitin tjetër, nuk mu duk e logjikshme”, thotë ajo.

Me hi në provim e të pres a e kaloj, të mbes për vitin tjetër nuk mu duk e logjikshme”, tregon ajo.

Të paktën në tri universitete publike sivjet ka pasur rënie të numrit të studentëve që kanë aplikuar.

Arsyet sipas zyrtarëve dhe ekspertëve variojnë që nga migrimi dhe çështjet teknike, megjithëse faji po i vihet edhe hapjes së vonshme të konkurseve në këto universitete.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sivjet e hapi konkursin për studentë të rinj më 6 gusht.

Sipas të dhënave, që nga ky universitet i kanë ofruar Radios Evropa e Lirë, numri i aplikimeve në konkursin për pranim të studentëve të rinj në studimet bachelor, për vitin akademik 2021/22 është 7,741.

Në vitin paraprak, për pranim në studimet themelore në UP kishin aplikuar gjithsej 8,364 studentë. Ndërkaq, një vit para kësaj kishim aplikuar mbi 9,000 studentë.

Sipas zyrtarëve në UP, ndër shkaqet që mund të kenë ndikuar në rënien e numrit të aplikimeve është fakti që në dy vjetët e fundit kanë regjistruar vetëm studentë të rregullt dhe jo studentë me korrespodencë.

“Po ashtu, edhe numri i maturantëve në nivel vendi ka rënë dhe kjo ka reflektuar edhe në numrin e aplikimeve në UP”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Hapja e konkursit për studentë në UP sivjet u bë më vonë në krahasim me vitet e tjera, kur konkursi ishte hapur gjatë korrikut.

Arsye për këtë është vonesa në procesin e akreditimit që u shkaktua nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC).

Në korrik, konferenca e rektorëve të universiteteve publike i kishte bërë thirrje KSHC-së për të përfunduar procedurat e akreditimit në mënyrë që hapja e konkurseve të mos vonohej.

Numër i vogël i aplikimeve edhe në Prizren e Mitrovicë

Në Kosovë funksionojnë shtatë universitete publike, në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj.

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë ka treguar se sivjet në afatin e parë janë paraqitur gjithsej 900 aplikantë për 1,530 vende.

Sipas këtij universiteti, në vitin e kaluar akademik janë paraqitur gjithsej 2,021 kandidatë për 1,680 vende të lira.

Universiteti i Prizrenit, në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë ka thënë se beson që njëra ndër arsyet ka qenë “koha e pushimeve – muaji gusht, kur është hapur konkursi”.

“Besojmë që në afatin e plotësues do të plotësohen të gjithë vendet e lira”, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” në afatin e parë të konkursit sivjet kanë aplikuar gjithsej 648 kandidatë për pranim në studime, kurse në vitin e kaluar kishin qenë 942 kandidatë.

“Indikacione të mundshme, të përmendura edhe nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si arsyetim për rënien e numrit të aplikuesve mund të përmendim: aspektin demografik; lëvizjet e brendshme dhe lëvizjet e jashtme të rinjve të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Universitetit të Mitrovicës dërguar REL-it.

Universiteti i Gjakovës ka treguar se këtë vit ka pasur shtim të numrit të programeve dhe sipas këtij institucioni, nuk mund të bëhet ende kalkulimi i saktë nëse ka pasur rënie të numrit të studentëve aplikues.

Megjithatë, sipas Universitetit të Gjakovës, “rrethanat e përgjithshme të cilat po zhvillohen në vend e kanë ulur motivin e gjeneratave të reja për të ndjekur studimet dhe për të jetuar në Kosovë”.

Edhe Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka” ka pohuar se ka rënie të numrit të studentëve.

Universitetet e tjera publike deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë çështje.

“Duhen bërë studime mbi shkaqet e uljes së numrit të aplikuesve”

Megjithëse rënia e numrit të aplikantëve për studime në universitete publike sipas ekspertëve është shqetësuese dhe ajo duhet edhe të studiohet.

Rinor Qehaja nga Instituti “Ed-Guard” thotë se “dështimi në rekrutim të studentëve paraqet përgjegjësi për menaxhmentin e universiteteve publike”.

“Arsyet mund të jenë të ndryshme nga ato demografike të uljes së numrit të nxënësve; uljes së trendit të studimeve nga studentët e diplomuar të shkollave profesionale; deri te vetëdijesimi më i rritur i studentëve për studime më cilësore me kushte më të favorshme të studimit, duke orientuar një numër më të madh te privatët qysh në afatin e parë”, thotë Qehaja.

Në anën tjetër, Dibran Hoxha nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) thotë se nuk mendon që ka ndonjë korrelacion të bazuar mes rënies së interesimit të studentëve për të aplikuar në universitete publike dhe vonesës së hapjes së konkurseve në këto universitete.

Ai shprehet se duhet bërë ndonjë hulumtim apo krahasim se pse ka rënë interesimi.

Hoxha e vlerëson pritjen që universitetet publike e kanë bërë për hapjen e konkurseve deri kanë marrë përgjigje për programet e akredituara.

“Kjo tregon përgjegjshmëri të lartë të këtyre institucioneve publike, krahas atyre private që lënë shumë për të dëshiruar në këtë drejtim”, thotë Hoxha.

Migrimi i të rinjve është vlerësuar si një problematikë e madhe në vend në hulumtimet e disa organizatave joqeveritare.

Organizata joqeveritare “Demokracia Plus” në hulumtimin e quajtur “Kostoja e Emigrimit të të Rinjve” thekson se nga largimi i popullsisë, gjenerohet një humbje vjetore në produktin e brendshëm bruto, prej 519 milionë euro.

/GazetaSinjali/