Numri i gjobave të shqiptuara nga Policia e Kosovës për mosrespektim të masave kundër përhapjes së COVID-19 nga java në javë po bie, shkruan Gazeta Sinjali.
Në javën e fundit të gushtit nga Policia e Kosovës janë shqiptuar 5 mijë e 167 gjoba, ndërkaq në javën e parë të shtatorit janë shqiptuar 3 mijë e 812 gjoba apo 1 mijë e 355 më pak.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga deklarimet për Gazetën Sinjali të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Në vendimin e fundit të Qeverisë thuhet se kushdo që nuk i respekton masat për parandalimin e virusit, do të dënohet me gjobë ose 3 vjet burgim.
Ndërsa, ata që shkaktojnë përhapje të virusit parashihet të dënohen me burgim, në kohëzgjatje prej 1 deri në 8 vjet.