Konsumimi i drogës është një dukuri që po lulëzon në të gjitha qytetet dhe po prek në veçanti të rinjtë, duke e dëmtuar shëndetin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Kjo po dëshmohet me kapjen dhe arrestimin e personave përdorues e shpërndarës të substancave narkotike, siç ndodhi edhe sot në Obiliq.
Heroinë, kokainë e para të gatshme iu konfiskuan një 38-vjeçari, afër termocentralit Kosova B në Obiliq. Sinjali mëson se bëhet fjalë për A.P, i cili u zbulua se posedon drogë, pasi Policia e ndaloi nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se te i dyshuari janë gjetur sasi të ndryshme të heroinës dhe kokainës, në dy qese dhe pajisje tjera që shërbejnë për matjen dhe mbështjelljen e substancave të tilla, si dhe para të gatshme.
Për shkak të posedimit të drogës, ai është arrestuar në flagrancë dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë për veprën për të cilën ngarkohet.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e 38-vjeçarit për 48 orë dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor së bashku me sendet e konfiskuara me rastin e kontrollit policor.