Disa orë pasi nënshkroi paketën e ndihmës prej 1.9 trilion dollarësh, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mbajti një fjalim televiziv për të përshkruar fazën e ardhshme të luftës kundër pandemisë së koronavirusit.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, në përvjetorin e parë të shpalljes së pandemisë, Biden tha se ka dritë në fund të tunelit. Ai tha se secili amerikan i rritur do të ketë të drejtë për vaksinim jo më vonë se data 1 maj.
Masat aktuale u japin përparësi njerëzve sipas moshës ose gjendjes shëndetësore.
“Nëse e bëjmë këtë së bashku, më 4 korrik, ka një mundësi të mirë që ju, familja dhe miqtë tuaj të bashkoheni në oborr dhe të festoni Ditën e Pavarësisë”, tha Biden.
Ai shtoi se vendi do të jetë në gjendje të festojë jo vetëm Ditën e Pavarësisë, por edhe “pavarësinë nga ky virus”.
Mbi gjysmë milioni amerikanë kanë vdekur tashmë nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, dhe Biden paralajmëroi se lufta nuk ka mbaruar ende.
“Derisa dalim nga një dimër i errët në një pranverë dhe verë shpresëdhënëse, nuk është koha të mos iu përmbahemi rregullave”, tha Biden, duke iu bërë thirrje të gjithëve që t’i ndjekin protokollet shëndetësore.
“Mposhtja e virusit dhe kthimi në normalitet mbështeten në unitetin kombëtar”, tha ai.
Për të përshpejtuar vaksinimin, Biden njoftoi se administrata e tij do të punojë me shtetet për t’i bërë të mundshme vaksinat në më shumë qendra shëndetësore të komunitetit, farmaci, lokacione të vaksinimit masiv dhe njësi mobile./Gazeta Sinjali/