image Biden merr vaksinën e katërt anti-COVID

Botë

Biden merr vaksinën e katërt anti-COVID

news image

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka marrë dozën e dytë përforcuese të vaksinës Pfizer, një ditë pasi rregullatorët federal miratuan një vaksinë të katërt për personat e moshës mbi 50-vjeç.

Biden të mërkurën i ka bërë thirrje Kongresit amerikan që të miratojë miliarda fonde shtesë për të luftuar pandeminë COVID-19.

Presidenti Biden u bëri presion ligjvënësve që të sigurojnë fonde shtesë “menjëherë” për të garantuar furnizim të vazhdueshëm.

Ai foli derisa administrata e tij krijoi COVID.gov, një faqe interneti për të ndihmuar njerëzit në Shtetet e Bashkuara të kenë qasje në teste, vaksina dhe trajtime për COVID-19, së bashku me përditësimet e statusit mbi shkallët e infeksionit ku ata jetojnë.

“Kongres, ne duhet të sigurojmë furnizim shtesë tani”, ka thënë Bideni, duke paralajmëruar për mungesë të vaksinave, testeve dhe trajtimeve.

“Kjo nuk është partiake, është mjekësi”, ka shtuar Bideni.

Biden 79 vjeç, mori dy dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit pak para se të merrte detyrën dhe një dozë të parë përforcuese në shtator të vitit të shkuar.

Të martën, Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve hapën rrugën për një vaksinë tjetër për këdo që është mbi 50 vjeç.

/GazetaSinjali/