Më shumë pengje mund të lirohen Gaza të shtunën, pasi armëpushimi i përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit hyn në ditën e dytë. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se kishte marrë një listë të pengjeve që do të liroheshin nga Hamasi të shtunën megjithëse nuk ka thënë se sa dhe kush janë ata.
Kjo vjen pasi 24 pengje u liruan nga Gaza përmes pikës kufitare Rafah me Egjiptin të premten, pas fillimit të armëpushimit të përkohshëm katër ditor të luftimeve.Rreth 50 gra dhe fëmijë të mbajtur nga Hamasi që nga sulmi i 7 Tetorit do të lirohen gjatë periudhës së armëpushimit, e cila pritet të zgjasë deri të hënën.
Si pjesë e marrëveshjes, ndërmjetësuar nga Katari, Izraeli liroi 39 gra, adoleshente dhe fëmijë palestineze, të cilët u ndaluan në burgjet izraelite të akuzuar për një sërë veprash, nga gjuajtja me gurë deri te tentativa për vrasje. Izraeli pritet të lirojë 150 të burgosur palestinezë gjatë armëpushimit katërditor.
Të premten, pas lirimit të pengjeve, presidenti amerikan Joe Biden u shpreh optimist duke thënë se ky është “vetëm një fillim”, dhe duke shtuar: “Deri më tani, ka shkuar mirë”. Ai foli gjithashtu për një zgjatje të mundshme të armëpushimit, duke thënë: “Unë mendoj se shanset janë reale.”
Izraeli ka thënë tashmë se do të ndalojë ofensivën e tij në Rripin e Gazës për një ditë shtesë për çdo 10 pengje shtesë të liruar nga Hamasi. Megjithatë, ai është zotuar njëkohësisht të vazhdojë ofensivën në Gaza pasi të përfundojë armëpushimi i përkohshëm. Të premten, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) Daniel Hagari tha se ushtria izraelite do të përfundojë përgatitjet e saj për “fazën tjetër” të konfliktit.