Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha se është “turp” që presidenti Donald Trump nuk e ka pranuar ende rezultatin e zgjedhjeve në SHBA.
“Si mund ta them këtë me takt? Mendoj se nuk do ta ndihmojë trashëgiminë e presidentit”, tha Biden në një ngjarje në Delaware.
Mediat amerikane e kanë parashikuar fitoren e tij të shtunën, katër ditë pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
Por, Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe, pa sjellë ndonjë provë, ka pretenduar se zgjedhjet janë vjedhur. Trump ka kërkuar rinumërim të votave dhe ka paralajmëruar veprime ligjore.
I pyetur nga gazetarët se cili është plani i tij nëse administrata Trump nuk bashkëpunon në tranzicionin e pushtetit, Biden tha:
”Do të ishte mirë sikur ta kishim [bashkëpunimin e administratës], por nuk është vendimtar. Ne do të bënim pikërisht atë që po bëjmë, edhe sikur ta pranonte humbjen”.
Udhëheqësit botërorë, përfshirë shumicën e aleatëve amerikanë, e kanë uruar Bidenin për fitoren në zgjedhje.
Biden tha të martën se ka biseduar me gjashtë liderë botërorë “për t’iu treguar se Amerika është rikthyer”.
Sipas raportimeve të fundit, Biden, në mesin e të tjerëve, ka biseduar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrin britanik, Boris Johnson.