Skuadra pejane, Besa Famgas ka shtrirë suksesin edhe në Ligën e Pionierëve. Pasi me ekipin senior ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, Besa Famgas të dielën fitoi edhe titullin e kampionit për gjeneratën e pionierëve, transmeton Sinjali Sport.
Në finalen e Ligës së Pionierëve, të luajtur të dielën në Pejë, Besa Famgas e mposhti Deçanin me rezultatin 16:12.
Me këtë ndeshje është përmbyllur një garë interesante dhe shumë e fortë në Ligën e Pionierëve.
Për disa javë ka pasur ndeshje të forta, ndërsa në skenë kanë dalë shumë hendbollistë të talentuar që janë e ardhmja e sportit tonë.
Olsi Mulaj ishte më efikasi te Besa Famgas në finale. Ai shënoi 6 gola. Ersi Sheqerolli kontribuoi me 4 gola, Dijar Idrizi i kishte 3, Edonis Hajra 2 e Amar Muqolli një gol.
Te Deçani, që po ashtu ka shfaqur vlera dhe ka dëshmuar se ka të ardhme të ndritur, më efikasi ishte Bleron Cacaj me 6 gola. Ardian Bajramaj shënoi 3 gola, Erjol Dautaj 2 e Andi Rexhahmetaj një gol. /Gazeta Sinjali Sporti/